Kodi i Etikës, qeveria kërkon kontrollin e plotë të parlamentit

Shqipëria

Kodi i Etikës, qeveria kërkon kontrollin e plotë të parlamentit

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 10:34
Gramoz Ruçi

Deputetët, pas të cilëve qëndrojnë persona me rekorde kriminale, do të duhet të largohen nga Parlamenti. Ky është propozimi që ka bërë Partia Demokratike në kuadër të diskutimit të Kodit të Sjelljes së Deputetëve në Parlament. Ky Kod është propozuar që në vitin 2014, por asnjëherë nuk u diskutua. Me vendosjen e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit, ku Kod u rifut në axhendë me qëllimin që të vendoseshin rregulla më të forta për sjelljen e deputetëve në parlament.

Kodi Etik bën fjalë për rregullimin e fjalorit të deputetëve në seancë plenare, sjelljen e tyre, vendos veprimtaritë që nuk përputhen me funksionin e deputetit dhe faktin që ata nuk duhet të marrin dhurata të shtrenjta. Por Partia Demokratike ka kërkuar forcimin e këtij Kodi, duke bërë disa propozime, që siç është paralajmëruar, do të jenë pjesë edhe të diskutimeve për Reformën Zgjedhore.

PD ka propozuar dekriminalizimin e zgjedhjeve ose largimin e deputetëve pas të cilëve qëndron një i afërm dhe bashkëpunëtor të lidhur me krimin. Iniciativa për vendosjen e një kontrolli të ri mbi deputetët është diskutuar dje në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që drejtohet nga kryetari i Kuvendit. Deputeti demokrat dhe anëtari i këtij Këshilli, Eduard Halimi, sqaroi propozimin e PD-së dhe mënyrën si do të procedohet. Gjatë këtyre ditëve pritet që të krijohet grupi i punës me anëtarë nga të gjitha grupet parlamentare për të hartuar kuadrin ligjor lidhur me këtë propozim.

“Ka deputetë të cilët kanë lidhje me krimin dhe me njerëz të botës së krimit, ka deputetë të cilët kanë përfituar fonde publike në emër të tyre, apo familjarëve të tyre përfshirë dhe një situatë të rëndë që ka të bëjë me drejtimin arbitrar dhe arrogant të parlamentit nga kryetari i parlamentit”, tha Halimi. “Në këtë pikë pati diskutime edhe nga deputetë të maxhorancës dhe në përfundim u ra dakord që një grup pune me deputetë të grupeve parlamentare, të adresojë këto shqetësime që kanë të bëjnë me një hartimin e një kuadri ligjor, i cili të pastrojë parlamentin nga deputetët me rekorde kriminale.

Deputetët të cilët kanë lidhje me krimin, lidhje familjare me krimin, lidhje shoqërore me krimin, që janë financuar nga paratë e errëta të krimit të organizuar duhet të largohen dhe të lënë mandatin. Deputetët që kanë përfituar fonde publike, koncesione drejtpërdrejt, personalisht, apo nëpërmjet fëmijëve të tyre, duhet të lënë mandatin dhe të largohen”, tha deputeti i PD-së. Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi nuk dha një pozicion të qartë nëse maxhoranca do të pranojë propozimin e PD-së lidhur me vijimin e efekteve të ligjit të dekriminalizimit, por tashmë në një formë të re.

“PD dhe deputetët demokratë nuk i janë bashkuar nismës dhe në fund fare na thanë se na duhet një Kod sjelljeje që duhet rishikuar. Kryetari i Këshillit i ka lënë kohë opozitës dhe ka marrë tre vendime: së pari ftojmë të gjitha grupet parlamentare edhe deputetët, edhe ata që nuk janë pjesë e Këshillit për ta përmirësuar dhe brenda dy javëve të japin sugjerimet. U ngrit një grup pune për të mbledhur sugjerimet dhe paraqitur në projekt dhe së treti kjo do të diskutohet sërish. Pse ne themi që Kodi i Sjelljes ka rëndësi të miratohet?

Mos harroni se ne deputetët jemi përfaqësues të popullit, përcaktojmë politika dhe i buxhetojmë ato dhe kemi nevojë për transparencë ndaj në këtë kuadër Kodi i rregullon marrëdhëniet sesi duhet sillen deputetët kur hartojnë ligjet”, u shpreh deputetja Hysi. Partia Demokratike së fundmi ka deklaruar se, nuk do të flitet thjeshtë për një reformë rutinë zgjedhore. Demokratët kanë propozuar dekriminalizimin e zgjedhjeve ose e thënë ndryshe largimin e deputetëve pas të cilëve dyshohet se qëndrojnë njerëz të botës së krimit por edhe ata që kanë përfituar para publike.

Kodi i Etikës, Ruçi kërkon kontroll të plotë mbi deputetët

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka drejtuar me dorë të fortë seancat plenare, duke mos lejuar në asnjë rast tejkalimin e kohës së fjalës apo përjashtimin e deputetëve që rebelohen ndaj një fyerje të caktuar. Socialistët për t’i dhënë të drejtën e plotë Ruçit që të japë një model të fortë drejtimi, risollën në vëmendje Kodin Etik për sjelljen e deputetëve, Kod i cili parashikon shumë ndalesa për ligjvënësit në seancë plenare. Deputetët nuk duhet të shprehin fjalë të pahijshme dhe nuk duhet të bëjnë thirrje për akte të dhunshme, parashikon neni 10.

“Deputeti nuk duhet: të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvend; të pengojë ose të cenojë rregullin e zhvillimit të punimeve të Kuvendit; të përdorë fjalë fyese që cenojnë personalitetin e drejtuesit të seancës; të kërcënojë apo fyejë deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe personalitetet e tjera të larta shtetërore; të përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila promovon urrejtjen në bazë të racës, fesë”, thuhet në nenin 10. Kodi Etik përcakton edhe rregulla sa i përket veprimtarisë private të deputetëve. Sipas këtij Kodi, deputetët nuk duhet të jenë drejtues të bizneseve private.

Kështu, në nenin 7 deputetit i kufizohet: “të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër; të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg”. Deputetëve u ndalohet të marrin dhurata të shtrenjta.

“Deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat”, thuhet në nenin8. Një sugjerim, por jo ndalim ka të bëjë me përdorimin e celularëve gjatë seancave plenare. Deputetët sipas këtij Kodi, duhet të lënë jashtë celularët dhe të vishen me veshje plotësisht zyrtare. Në këtë Kod demokratët parashikojnë që të përfshijnë edhe disa nene të tjera që kanë të bëjnë me dekriminalizimin e Parlamentit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat