Basha: Kuvendi të mbledhë menjëherë Komisionin e Mandateve; Vasili: I pari që duhet shkarkuar është Çako

Shqipëria

Basha: Kuvendi të mbledhë menjëherë Komisionin e Mandateve; Vasili: I pari që duhet shkarkuar është Çako

Më: 19 tetor 2017 Në ora: 14:43
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar sot për mediat se, Prokuroria e Krimeve të Rënda sapo ka njoftuar depozitimin në Kuvendin e Shqipërisë të kërkesës për heqjen e imunitetit, arrestimin dhe kontrollin e banesës të deputetit Saimir Tahiri.

Basha i ka bërë thirrje Kuvendit të veprojë menjëherë dhe të mbledhë menjëherë Komisionin e Mandateve dhe seancën plenare për të vepruar pa vonesë.

“Çdo minutë, çdo orë vonesë do të shërbejë për shkatërrimin e provave. Sot është koha që çdo shqiptar i ndershëm, çdo deputet në Kuvendin e Shqipërisë që ndihet përgjegjës para tyre, të veprojë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”, tha Basha.

Image
Petri Vasili

Edhe kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petri Vasili, ka reaguar për shkarkimet e drejtuesve të Policisë së Elbasanit nga kryepolici Haki Çako, ditën e sotme.

Në një dalje për mediat, Vasili tha se i pari që duhej shkarkuar është vetë Çako.

Ai i bëri thirrje drejtësisë shqiptare të veprojë me shpejtësi të jashtëzakonshme për t’i dhënë përgjigje kësaj situate.

“Vendi ndodhet në një situatë alarmante. Shkarkimet duhet të ishin bërë muaj më parë. I shkarkuari i parë duhet të kishte qenë Haki Çako. Ky nuk duhet të ishte asnjë sekondë më në detyrë, sepse për faj të tij shqiptarët janë pa polici. Të vetmit që janë të qetë janë kriminelët dhe trafikantët”, tha Vasili.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat