Xhafaj deklaratë bombë, zbulon kush fshihet pas arrestimit të Saimir Tahirit

Shqipëria

Xhafaj deklaratë bombë, zbulon kush fshihet pas arrestimit të Saimir Tahirit

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 11:07
Fatmir Xhafaj

Në reagimin e parë për kërkesën për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, personi që mori postin e tij në mandatin e dytë të qeverisë Rama ka bërë një deklaratë që jo shumë e prisnin.

Duke gjykuar si jurist, Xhafaj tha se Prokuroria për Krime të Rënda në dosjen që i ka sjellë Kuvendit me kërkesë për t’i hequr imunitetin deputetit Saimir Tahiri, nuk ka asnjë provë ligjore që të jetë e besueshme. Ministri i brendshëm shkoi edhe më tej me akuza kur tha se sipas tij, në këtë rast fshihen prokurorë që po përdoren politikisht. 

"Pardje kur më pyetët për këtë çështje ju thash që është iniciuar dhe është duke u shqyrtuar nga drejtësia italiane. Gjithë të tjerët që flasin nuk kanë asnjë kontribut në këtë çështje, thjesht po duan ta përdorin. Përsa i përket asaj që më pyetët, nëse do më pyesni nga pikëpamja ligjore, legale, ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa unë kam lexuar nuk është gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe besueshmërinë në prova. Që do të thotë sipas meje që jemi në rastin kur segmente apo individë të prokurorisë po përdoren politikisht në një çështje, apo situatë të nxehtë politike. Flas për sa kam parë dhe sa kam lexuar nga ato që janë bërë publike. Nëse prokuroria ka prova të tjera le të presim dhe le të shohim. Mbetet për tu parë dhe për tu gjykues. Unë jam jurist, jam ligjvënës, dhe jap opinionin tim, dhe precedentë të tillë janë të rrezikshëm për drejtësinë dhe për marrëdhëniet parlamentare, për aq sa unë kam lexuar", u shpreh ministri.

Në deklaratën e tij Xhafaj përmend rastin e mega-operacionit në Babicë të Vlorë ku u zbulua baza ku banda e Habilajve strehonte drogën, e që një video mbërriti në Facebook-un e ish-kryeministrit Sali Berisha ndërsa operacioni ishte ende në zhvillim. Për Xhafajn, ky dekonsipirim ka ardhur nga Prokuroria, duke theksuar se nuk është hera e parë që ndodh. 

"Unë jam i shqetësuar mos ndodh si në operacionin e pak ditëve më parë në Vlorë ku para se prokurori të mendonte për vendngjarjen, mbledhjen e provave, etj, mendoi si ta përdore politikisht për një çështje thellësisht hetimore dhe në përgjegjësinë e tij të plotë ligjore. Eshtë gjë e përsëritur dhe shumë e dëmshme për autoritetin dhe organin e akuzës", u shpreh Xhafaj.

Kjo është deklarata më e fortë që vjen nga radhët e mazhorancës, kur shumë të tjerë, deputetë, dhe vetë kryeministri, janë shprehur të hapur për të hequr imunitetin e deputetit Saimir Tahiri, dhe për ta lënë atë në dorë të drejtësisë. 

Prokuroria e akuzon Tahirin si të përfshirë në trafikun e drogës gjatë kohës që mbajti detyrën e ministrit të Brendshëm, akuza këto që shpërthyen pasi emri i Tahirit doli në dosjen e përgjimeve të prokurorisë italiane për bandën e Moisi Habilajt, të arrestuar në Itali si kreu i trafikut ndërkombëtar të drogës, njëherësh kushëri i largët me ish-ministrin Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat