Leja për arrestimin e Tahirit, Prokurori: Hetimi nisi nga media

Shqipëria

Leja për arrestimin e Tahirit, Prokurori: Hetimi nisi nga media

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 14:33
Saimir Tahiri

Këshilli i Mandateve dhe Rregulloreve është mbledhur këtë paradite për kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit dhe dhënien e autorizimit për arrestimin e tij.

Vetë ish-ministri i Brendshëm është i pranishëm në këtë mbledhje, por do të jetë avokati i tij Artan Hajdaraj që do të flasë për të. 

Ndërsa organi i akuzës është përfaqësuar nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besnim Hajdarmataj dhe prokurorët Elizabeta Imeraj e Vladimir Mara. 

Ai kërkoi që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor, por kjo kërkesë nuk u pranua nga Këshilli dhe mbledhja vijoi me dyer të hapura. Teksa Hajdarmataj argumentoi kërkesën e tij se bëhet fjalë për heqjen e imunitetit të deputetit, teksa një pjesë të dokumenteve nuk pranoi t'i bëjë publike për median. 

“Kemi bërë verifikime dhe jemi të bindur se ato biseda përputhen. Tahiri, gjatë vitit 2013, duke pasur në pronësi një automjet të tij, e kishte shitur te njëri prej vëllezërve Habilaj. Na ka rezultuar më pas se ky automjet është përdorur sërish nga Tahiri. Ne kemi ardhur për të kërkuar thjesht heqjen e imunitetit që në çdo moment të jetë i ekspozuar ndaj një mase sigurie të mundshme. Saimir Tahiri akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike i kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë të shtetit”, tha Hajdarmataj. 

Deputetët e mazhorancës kërkuan nga grupi i prokurorëve provat, që sipas tyre, inkriminojnë deputetin socialist, Saimir Tahiri. 

Prokurorët deklaruan se hetimi ka nisur kryesisht edhe mbi bazën e informacioneve të qarkulluara në media për përgjimet e realizuara nga pala italiane. Të pyetur nga deputetët socialistë nëse në aktet e përcjella nga pala italiane rezulton që Saimir Tahiri është nën hetim nga Prokuroria e Katanias, prokurorët u përgjigjën: “Në aktet e përcjella deri në këto momente nuk figuron një gjë e tillë”. 

Megjithatë, Prokuroria thotë se ka dyshimin e arsyeshëm për të bazuar kërkesën e saj për arrestimin e Tahirit. “Ka disa detaje që krijojnë dyshimin e arsyeshëm për faktin penal dhe kërkesa jonë është bazuar në dokumentacionin që zotërojmë dhe në arsyetimin ligjor. Ekziston rreziku i prishjes, apo dëmtimit të provave”, deklaron Prokuroria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat