Arrestimi i ish-ministrit, sot e merr fjalën avokati i Tahirit në Këshillin e Rregullores

Shqipëria

Arrestimi i ish-ministrit, sot e merr fjalën avokati i Tahirit në Këshillin e Rregullores

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 08:21
Saimir Tahiri me avokatin e tij

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet sërish sot në orën 10:00 për të vendosur nëse do t'i japë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, autorizimin për arrestimin ose heqjen e imunitetit për deputetin Saimir Tahiri. Ky Këshill sot do të dëgjojë parashtrimet e avokatit të Tahirit, z. Artan Hajdari.

Pas diskutimeve të deputetëve dje mbi këtë kërkesë, Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi vendosi të shtyjë mbledhjen  e Këshillit për sot, datë 21 tetor 2017, ora 10:00.

Çfarë ndodhi dje:

Dje, sipas urdhrit të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u mblodh Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimeve të Rënda, Tiranë, depozituar në Kuvend me shkresën Nr. 9906, datë 19.10.2017, për dhënien e autorizimit për arrestimin, ose heqjen e lirisë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Saimir Tahiri, së bashku me relacionin përkatës të arsyetuar.

Në mbledhje morën pjesë të dhjetë deputetët, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si dhe deputeti z. Saimir Tahiri, në prani të avokatit të tij. Anëtarët e Këshillit, pasi dëgjuan argumentet e  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Tiranë, drejtuan pyetje për t’u sqaruar rreth kërkesës dhe relacionit shoqërues.

Njohja e deputetëve me aktet shkresore, ku Prokuroria bazon kërkesën drejtuar gjykatës u zhvillua me dyer të mbyllura.

Në këtë mbledhje, avokati i deputetit, z. Tahiri, kërkoi kohë për të paraqitur parashtrimet e tij, në lidhje me bazueshmërinë e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Tiranë, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat