U sulmua nga Rama, Basha merr në mbrojtje Prokurorinë e Krime të Rënda: Po shantazhohet drejtësia

Shqipëria

U sulmua nga Rama, Basha merr në mbrojtje Prokurorinë e Krime të Rënda: Po shantazhohet drejtësia

Më: 23 tetor 2017 Në ora: 10:14
Lulzim Basha

Kryeministri Edi Rama, si asnjëherë më parë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka sulmuar me një gjuhë të ashpër Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas kërkesës së saj për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit.

‘Një institucion memec’, e ka quajtur Rama, duke deklaruar se në rastin e kërkesë për arrestimin e Tahirit, erdhi me një raport 4 faqesh, dhe me një paraqitje të dobët të tre prokurorëve që mbrojtën kërkesë para Këshillit të Mandateve.

Por, lidhur me këto deklarata, ka reaguar në mënyrë të menjëhershme kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili ka marrë në mbretje prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke u bërë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë fuqishëm ndaj këtyre kërcënime, siç i quan ai.

“Fushata e kërcënimeve dhe sulmeve që Edi Rama, Fatmir Xhafa, Saimir Tahiri dhe shumica në pushtet kanë ndërmarrë prej tre ditësh ndaj prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë është një lojë e rrezikshme për gjunjëzimin e drejtësisë dhe thellimin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Ju bëj thirrje Komisionit të Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe partnerëve të tjerë perëndimore që kontribuan për hartimin dhe miratimin e reformës në drejtësi, të bëjnë presion ndaj kryeministrit dhe shumicës qeverisëse që të ndërpresin menjëherë këtë fushatë kërcënimesh dhe presioni ndaj drejtësisë, e cila ka për qëllim gjunjëzimin e drejtësisë dhe garantimin e pandëshkueshëmrisë së politikanëve të ekspozuar publikisht si të lidhur me krimin.

Nëse qeveria do të lejohet të shantazhojë, kërcënojë dhe frikësojë drejtësinë, korrupsioni dhe krimi në Shqipëri do të rritet më tej. Nëse politikanë nën hetim për lidhje me trafikun e drogës si Saimir Tahiri lejohen të kërcënojnë dhe shantazhojnë drejtësinë, në Shqipëri do të thellohet sundimi i krimit dhe korrupsionit. Tahiri duhet t’i nënshtrohet ligjit si çdo qytetar tjetër dhe nuk duhet të mbrohet nga  imuniteti parlamentar dhe nga mbrojtja politike e shumicës në pushtet.”, -tha Basha në reagimin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat