Ekzekutimi i çiftit në Gjirokastër, fqinja tregon tmerrin dhe konfliktin e kushërinjve

Shqipëria

Ekzekutimi i çiftit në Gjirokastër, fqinja tregon tmerrin dhe konfliktin e kushërinjve

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 06:28
Çifti Kosta

Fqinjët e viktimave kanë mbetur të shokuar nga ngjarja e djeshme ku të shumtët janë zgjuar nga të shtënat e armës automatike.

Fillimisht ata kanë menduar se ndonjë hajdut mund të ishte futur në banesën e ndonjërit prej tyre. Kështu mendoi edhe Nefo Kadëna, fqinje e çiftit Kosta. Ajo ishte ende e tronditur dje nga ngjarja ndërsa, siç shprehet, askush nuk e kishte menduar se mund të arrinin deri këtu mosmarrëveshjet mes tyre.

Sipas saj, të dyja palët ishin familje të qeta dhe nuk njiheshin si problematike në lagje. Banorët thonë se vrasja e fundit në “Sokakun e të Marrëve” është e paprecedentë në Gjirokastër.

Image
Nefo Kadëna

Znj. Kadëna, ju jeni fqinje e viktimave dhe autorit. Kur ndodhi ngjarja?

Diku rreth orës 07:00, sepse unë zakonisht çohem herët pa shkuar 7 ora. M’u prish gjaku që në mëngjes. Mendova se kishin hyrë hajdutët dhe dikush shkrepi armën për t’i trembur, por më vonë që mora vesh se kush ishin, u bëra keq.

Çfarë dëgjuat?

Dëgjova disa të shtëna që më trembën pa masë. Aq shumë u tremba, më tepër nga të ulëriturat që pasuan. Nuk do ta besoni, por edhe zhurma e plumbave që shpuan trupin u dëgjuan sikur t’i kisha këtu në dhomën time. Nuk e mendoja kurrë se do të ndodhte një vrasje në këtë mëhallën tonë, kurrën e kurrës… Asnjëherë nuk kemi përjetuar ngjarje të tilla, nuk jemi mësuar. O Zot, nuk u vija kurrë vdekje atyre të dyve.

Pas krismave dhe ulërimave që dëgjuat, çfarë patë më pas?

Dola në dritare këtu të shikoja nga jashtë, por asgjë nuk pashë përveçse dëgjoja ulërima dhe më pas erdhën policia dhe ambulancat me zhurmë të madhe. Aty mësova që diçka kishte ndodhur, por mendova fillimisht mos ishin gjë hajdutët që kishin ardhur për të grabitur ndonjë shtëpi. Pak më vonë e mora vesh se çfarë kishte ngjarë dhe u shokova. Kaq shumë u shokova, saqë më dridhet i gjithë trupi edhe tani që po flasim. Nuk u vija kurrë vdekje atyre të dyve, madje u çudita shumë edhe për Apostolin, sepse kemi jetuar këtu një jetë të tërë dhe nuk janë dëgjuar për prapësira.

Si e njihje viktimën, Alekon?

Këtu ka lindur dhe këtu është rritur. Ç’të të them? Ka qenë një njeri i mirë, shikonte punën e tij, hallet e veta, asnjëherë nuk ngatërrohej me askënd. Ishte dhe shumë i edukuar. Njerëz shumë të mirë si nëna dhe babai i tij kanë qenë. Ndërsa gruan e re pak e njihja, se nuk më kishte lidhur shumë puna, por që edhe ajo ishte e folshme, sa herë që shkëmbeheshin apo dhe kalonin këtu para portës sime që shkonin për në shtëpi.

Po Apostolin si e njihje, çfarë karakteri kishte ai?

Edhe ai ishte njeri i mirë shumë, as nuk ngatërrohej me asnjë njeri. Ishin familje e mirë, me grua dhe me fëmijë të mirë, që nuk janë ndierë asnjëherë. Nuk e di se si ndodhi kjo gjëmë, por më duket ende e pabesuar. Shumë tragjike.

A ke dëgjuar për konfliktet që kanë pasur mes tyre?

Nuk më ka interesuar të pyesja direkt Lekon e gjorë apo dhe Apostolin, por mesa kishim dëgjuar, bëhej fjalë për një mur rrethues që ndan shtëpitë nga njëra-tjetre. Apostoli e ndërtoi murin me lekët e tij dhe, siç kisha dëgjuar, ky mur i shërbente edhe Lekos, sepse nuk i zinte as pamjen dhe as nuk përbënte rrezik. Mesa kisha dëgjuar, ishin edhe në gjyq dhe nuk e di se si përfundoi. Por sido të jetë, ai bëri gabim që veproi në këtë mënyrë, mori dy jetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat