Dyshimet për vdekjen e Adelajdës, mjekët: E gjetëm në korridor

Shqipëria

Dyshimet për vdekjen e Adelajdës, mjekët: E gjetëm në korridor

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 14:56
Adelajda Xhumani

Vdekja e gazetares Adelajda Xhumani vazhdon të jetë tema më e diskutuar online.

Zyrtarisht nuk ka ende një shkak përfundimtar të vdekjes.

Mjekët ligjorë, që bënë autopsinë mëngjesin e së dielës, paraprakisht dyshojnë për një arrest kardiak.

Një prej mjekeve të QSUT, duke përjashtuar kategorikisht epilepsinë, hodhi edhe dyshime se dikush tjetër mund të ishte shkaktar. Burime nga grupi hetimor thanë se nga këqyrja e kufomës, nuk janë konstatuar shenja dhune.

Po ashtu, nga këqyrja e banesës nuk është konstatuar asgjë e dyshimtë, që mund të ngrinte ndonjë pistë tjetër, veç asaj të vdekjes për shkaqe natyrore.

Adela kishte punuar deri në orën 23:00 të së shtunës, para se të ndërronte jetë në orët e para të mëngjesit të së dielës. Kolegëve nuk u kishte shprehur të kishte ndonjë shqetësim, madje askush nuk kishte vënë re diçka të tillë.

Pasi ka përfunduar punën, është nisur drejt shtëpisë dhe nuk ka dalë më nga aty. Rreth 30 minuta para se të gjendej e pajetë në apartamentin e saj, në zonën e Freskut, në Tiranë, Adelajda Xhamani i kishte telefonuar shoqes së saj të ngushtë.

“Nuk po mbushem dot me frymë”, mësohet t’i ketë thënë shoqes së saj, duke i kërkuar të njoftonte ambulancën. Mjekët kardiologë, që pyetëm dje në lidhje me këtë rast, u shprehën se një nga paralajmërimet e problemeve kardiake është pikërisht ky shqetësim që i ka shprehur Adela në telefon mikeshës së saj.

Veç simptomave të tjera, sipas mjekëve, pamundësia për t’u mbushur me frymë është paralajmërimi më i shpeshtë në raste të tilla. Pas kësaj telefonate, shoqja e Adelës ka lajmëruar menjëherë ambulancën, familjarët e saj, por edhe disa miq të përbashkët.

Ambulanca ka mbërritur shumë shpejt në adresën e dhënë, por duke qenë se nuk dihej me saktësi apartamenti i Adelës, mjekët kanë pritur derisa miqtë e saj kanë mbërritur aty me një taksi. Të gjithë janë ngjitur bashkë në katin e katërt.

Dera është gjetur gjysmë e hapur, pasi në momentin që po fliste në telefon me shoqen e saj, Adela, nga frika se gjendja e saj mund të përkeqësohej, i ka thënë se do t’i hapte derën.

Ndërsa në momentin që janë futur brenda, ajo është gjetur e shtrirë në korridor. Mjekët nuk kanë konstatuar shenja jete, megjithatë e kanë marrë me ambulancë e janë nisur drejt QSUT.

Si orë e vdekjes është shënuar 05:10, kohë që përkon me momentin kur mjekët janë futur në apartamentin e saj dhe e kanë konstatuar pa shenja jete, raporton Panorama.

Por vonesa rreth 30 minutëshe, nga momenti i telefonatës së fundit, ka qenë për shkak se nuk dihej adresa e saktë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat