Rama e vuri prefekt në Durrës, zbulohen dy kallëzime penale ndaj tij

Shqipëria

Rama e vuri prefekt në Durrës, zbulohen dy kallëzime penale ndaj tij

Më: 1 nëntor 2017 Në ora: 21:54
Edi Rama

Roland Nasto do të jetë nga dita e nesërme prefekti i ri i Durrësit, duke pasuar në këtë detyrë ish-prefektin Emiljan Jani, që u vendos në këtë post pak para zgjedhjeve të 25 qershorit, me këtë të fundit që zëvendësoi në detyrë Rolant Xhelilaj, që u dorëhoq pasi kandidoi për deputet.

Në biografinë e shkurtër gjatë prezantimit të tij, Kryeministri Edi Rama e paraiqiti Naston, si “Kapiten i rangut të parë i forcave në rezervë. Ka kryer kualifikime afatgjatë në Turqi. Ka mbuluar detyrën e shefit të Forcave Detare si dhe komandant i Distriktit Detar”.

Durrsaku 61-vjeçar ka mbaruar studimet në shkollën “Skëndërbej” për të vijuar më pas në Akademinë e Marinës “Hysni Kapo” në Vlorë në vitet 1977-1980. Në 1993 ka nisur studimet pasuniversitare në Akademia e Marinës në Stamboll, Turqi në vitet 1993-1995. Në 2003-2006 ai ishte komandant i distriktit të Durrësit. Në 2006-2013 ishte shef shtabi në Forcën Detare, ku mbante gradën kapiten i rangut të parë. Në 2013-2016, punoi specialist në shërbimin hidrografik, në portin e Durrësit. Por, Nasto nuk duket të jetë zyrtari 100% perfekt.

Për dy fakte

Apo për dy deklarata të publikuara dhe që gjendjen lehtësishr në faqen zyrtare të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, në datat 10 nëntor 2014 dhe 12 janar 2015.

Për Rolando Naston ka një kallëzim penal nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (IKLPDKI), por për ish-shefin e shtabit në Forcën Detare ka dhe një gjobë prej 100 mijë lekësh, apo 1 milion lekësh të vjetra.

Më 12 janar 2015, Roland Nasto përmendet në një listë të gjatë emrash të hartuar nga  kryeinspektori i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILKDP), Shkëlqim Ganaj, për mospërbushje të detyrimeve kushtutuese të deklarimit të formularit të pasurisë.

“Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesavem (IKLPDKI), vendosi masa administrative dhe paraqiti pranë organit të akuzës kallëzim për ndjekje penale për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal për subjektet e mëposhtëm: Gjokë Uldedaj, për  funksionin Deputet, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Elisabeta Ferizaj (Muda), për funksionin Doganier, Drejtoria Përgjithshme e Doganave. Dedë Tonaj, për funksionin Kryetar i Komunës Shalë, Qarku Shkodër. Roland Nasto, për funksionin Shef Shtabi i Forcës Detare, Ministria e Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e ILDKP të datës 12 janar 2015.

Roland Nasto, sipas një deklaratë të Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave rezulton se me 100.000 lekë: -“Roland Nasto, për funksionin Shef Shtabi në Forcën Detare, Ministria e Mbrojtjes, për mosdorëzim të “Deklaratës Pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2013, masë administrative “gjobë” në shumën prej 100.000 lekë”

NJOFTIM PËR SHTYP (10 nëntor 2014)

ILDKPKI, vijon me masat administrative ndaj subjekteve deklarues

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, në funksion të rolit të tij kontrollues, vijon të konstatojë shkelje të afateve ligjore në dorëzimin në afat të dokumentit zyrtar “Deklaratë e Interesave Private”, nga ana e zyrtarëve të niveleve të ndryshme drejtues të cilët pa shkaqe ligjore të arsyeshme nuk dorëzojnë në afat deklaratën e interesave private.

Në këto kushte, Inspektori i Përgjithshëm, vendosi masën administrative “gjobë” për 48 zyrtarë, subjekte deklarues të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private, konkretisht

– Roland Nasto, për funksionin Shef Shtabi në Forcën Detare, Ministria e Mbrojtjes, për mosdorëzim të “Deklaratës Pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2013, masë administrative “gjobë” në shumën prej 100.000 lekë.

NJOFTIM PËR SHTYP (12 janar 2015)

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, vendosi masa administrative dhe paraqiti pranë organit të akuzës kallëzim për ndjekje penale për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat