Lumë parash ‘cash’ nga Vlora në fushatën e PS, fshihen donatorët

Shqipëria

Lumë parash ‘cash’ nga Vlora në fushatën e PS, fshihen donatorët

Më: 2 nëntor 2017 Në ora: 22:48
Edi Rama

Partia Socialiste ka shpenzuar në fushatën elektorale të 25 qershorit 100,884,266 lekë të rinj ose 882 mijë dollarë. Sipas raportit financiar që PS ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rezulton të ketë të ardhurat më të larta krahasuar me partitë e tjera që garuan në zgjedhje, qoftë në shpenzime, por edhe në burimet që ka krijuar nga anëtarësia e saj.

Selia rozë rezulton të ketë grumbulluar vetëm nga degët e saj në të gjithë Shqipërinë 113,249,266 lekë të rinj, (rreth 1 milionë USD) fonde të cilat i kanë tepruar për të mbuluar shpenzimet e fushatës.

Sipas gjendjes financiare, PS ka raportuar se ka mbyllur pjesën më të madhe të shpenzimeve të fushatës, të cilat arrijnë në vlerën e 89.7 milionë lekëve, ndërkohë që ka ende detyrime financiare pa paguar në vlerën e 11.1 milionë lekëve të rinj. PS rezulton ende me detyrime të pashlyera, edhe pse arka e saj rezulton të ketë të ardhura të konsiderueshme.

DONACIONET

Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama ka deklaruar një “boom” donacionesh, të cilat kapin vlerën e 9.2 milionë lekëve të rinj. Por ajo që bie në sy është fakti se edhe në këto zgjedhje, partitë arritën t’i bëjnë “bisht” ligjit, duke fshehur emrat e donatorëve të tyre. Nga dokumenti zyrtar i firmosur nga Dhurata Isufaj, vihet re se janë rreth 73 donatorë persona fizikë, por vetëm 6 prej tyre kanë dhuruar mbi 1 milion lekë.

Pjesa tjetër nuk e ka kaluar vlerën e 1 milion lekëve dhe për këtë arsye ata kanë mbetur anonimë. Por donacionet këtë vit elektoral kanë qarkulluar vetëm cash, para të thata në dorë. Nga verifikimi i të dhënave, rezulton se dega e Partisë Socialiste Vlorë ka pa pasur të hyra të konsiderueshme.

Donatorët më “bujarë” figurojnë në Vlorë dhe në total janë 40 të tillë, të cilët PS i ka lënë anonimë, edhe pse kanë paguar me para në dorë. Po ashtu PS ka deklaruar se ka pasur dhe dhurata në natyrë. Qytetarë të ndryshëm në të gjithë Shqipërinë kanë “hapur zemrën” dhe i kanë dhuruar Partisë Socialiste godinat e zyrave elektorale falas.

Nga ky proces rezulton se PS ka fituar 4,111,270 lekë të rinj dhuratë. Ndërkohë Partia Socialiste e Tiranës rezulton të ketë mbledhur më shumë se çdo degë tjetër, si në donacione, dhe në kuota anëtarësie, me vlerë 34,250,875 lekë.

KONSULENCA

Partia Socialiste ka deklaruar në raportin e saj financiar se ka shpenzuar për firmën konsulente dhe për lobing 14,253,000 lekë të rinj. Këto para i janë dhënë në 6 këste firmës amerikane “Ballard Partners”, e cila ka realizuar fushatën e PS më 25 qershor, si dhe ka ndihmuar në lobimin në SHBA.

Në listën e pagesave të PS rezulton se kompania e konsulencës amerikane ka nisur punën që në muajin prill dhe është paguar deri në muajin shtator, ku në muaj është paguar rreth 22 mijë dollarë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat