Vrasja në Linzë/ Gabimi që i shtoi dënimin autorit, çfarë mbante në qeli

Shqipëria

Vrasja në Linzë/ Gabimi që i shtoi dënimin autorit, çfarë mbante në qeli

Më: 4 nëntor 2017 Në ora: 08:18
Emiljano Tasho

Gjykata e Tiranës ka shtuar edhe 1 vit burg për të dënuarin për “vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim”, Emiljano Tasho. Ky i fundit po vuan dënimin për vrasjen e Enton Nikës në burgun e sigurisë së zakonshme në Vaqarr.

Mirëpo, gjatë një kontrolli në qelinë e tij u gjetën dy aparate celularë, njëri prej të cilëve “Iphone”. Vendimi për dënimin e Tashos është dhënë më 17 tetor të këtij viti, ndërsa ngjarja ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar.

Vetë Emiljano Tasho e ka pranuar akuzën për futjen e celularëve në burgun e Vaqarrit, por ka refuzuar të tregojë se si kanë hyrë këto sende, apo se si i ka siguruar. Ai ka kërkuar madje edhe gjykim të shkurtuar.

Ky është rasti i parë, kur një i dënuar gjykohet për “futjen e sendeve të paligjshme në institucionet e vuajtjes së dënimit” në një çështje të ndarë sipas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale. Tashmë Tasho do të vuajë 15 vjet burgim në total, krahas atij të vrasjes në bashkëpunim të Enton Nikës.

NGJARJA

Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, Drejtoria e Policisë së Burgjeve, më datë 25 nëntor 2016, pati miratuar një plan kontrolli në dhomat e të dënuarve të Burgut të Vaqarrit, pasi kishte siguruar informacione se në këtë institucion të vuajtjes së dënimit kishin hyrë sende të paligjshme.

Në kuadër të këtij plani, Policia e Burgjeve ka ushtruar më datë 15 dhjetor 2016, në orën 23:30, një kontroll blic në qelitë e të burgosurve. Gjatë këtij kontrolli, i dënuari Emiljano Tasho u kap në flagrancë në qelinë e tij duke përdorur një aparat celular të markës “Iphone 5”.

Gjithashtu, Policia e Burgjeve gjeti poshtë shtratit të tij një tjetër aparat celular. Pas kësaj, materialet kanë kaluar në Gjykatë, ku i pandehuri Emiljano Tasho ka shfaqur pendesë për veprimin, duke pranuar edhe akuzën e dytë.

Mirëpo, ai nuk ka dhënë detaje se si kanë hyrë këto sende në Burgun e Vaqarrit. Edhe avokati i tij pranoi që gjyqi të vazhdonte me provat që kishte siguruar Prokuroria e Tiranës, duke mos shfaqur asnjë pretendim.

VENDIMI

Në vendimin e saj, i cili është marrë më datë 17 tetor 2017, Gjykata e Tiranës thotë se merr parasysh dënimin e më- parshëm të Emiljano Tashos, akuzën e provuar për “vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim”, po ashtu edhe shfaqjen e pendesës së tij.

Në këto kushte, referuar edhe provave të sjella nga prokurori, Gjykata vendosi të deklarojë fajtor të pandehurin Emiljano Tasho për veprën penale të “futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg” dhe e dënon atë me 1 vit e 6 muaj burgim.

Por Gjykata shton se në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Emiljano Tasho i ulet 1/3-a e dënimit, duke e dënuar përfundimisht me 1 vit burgim. Gjithashtu, bazuar në ndryshimet e Kodit Penal, dënimi me 1 vit burg i shtohet atij me 14 vjet burgim për “vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat