Johannes Hahn tek Basha, ja ç'diskutuan në 2 orë takim kokë më kokë

Shqipëria

Johannes Hahn tek Basha, ja ç'diskutuan në 2 orë takim kokë më kokë

Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 10:38
Takimi Basha-Hahn

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn, është takuar dje në selinë e PD me kreun e saj, Lulzim Basha. Pas kthimit nga Vlora, ku ishte në një vizitë në qytetin bregdetar e ku Kryeministri ka këmbëngulur për disa projekte, Hahn ka qëndruar për dy orë në zyrën e Lulzim Bashës.

Mësohet se në qendër të takimit kanë qenë Reforma në Drejtësi dhe nisja nga puna e procesit të vetingut, për të cilin Lulzim Basha ka shprehur vullnetin e PD-së për të pastruar drejtësinë nga korrupsioni. Mësohet se mesazhi i Hahn, që ai e artikuloi edhe dje në konferencën për shtyp, ishte qëndrimi që duhet të kenë të gjitha partitë politike për çështjen e integrimit, duke e cilësuar atë objektiv kryesor.

Për kreun e opozitës trafiku i narkotikeve mbetet rreziku më i madh për vendin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mësohet se Basha i ka bërë një ekspoze të opozitës komisionerit Hahn të lidhjeve të politikës me grupet kriminale, duke sjellë shembuj edhe të blerjes dhe ndikimit të votës në zgjedhjet e 25 qershorit. Nuk dihet nëse në bisedën dyorëshe mes komisionerit Hahn dhe kryetarit të opozitës Basha është diskutuar “dosja Minniti”, dosja që thuhet se ministri i Brendshëm italian, Marko Minniti, u dorëzoi krerëve të shtetit shqiptar pak ditë më parë, kur bashkë me ministrin Xhafaj nisën operacionin e përbashkët kundër krimit, duke krijuar task-forcën speciale “Forca e ligjit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat