Reforma Zgjedhore, PS-PD: Të nisim punën menjëherë!

Shqipëria

Reforma Zgjedhore, PS-PD: Të nisim punën menjëherë!

Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 12:25
ilustrim

Mazhoranca dhe opozita, një zëri kanë kërkuar të premten të nisin punën menjëherë për Reformën Zgjedhore, në kuadër të mirë-përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme.

“Të mos humbasim kohë, të fillojmë menjëherë nga puna”, tha Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. “Në gjashtë mujorin e parë të sesionit që vjen ju duhet të synoni të kini produktin e kësaj çështjeje, në qoftë se vërtet do të punoni si e sa duhet, me këtë merak e këtë preokupim, që institucioneve përkatëse më pas t’u lëmë kohën e duhur që të përgatisin zgjedhje vendore dhe politike.”

I të njëjtit mendim ishte edhe Oerd Bylykbashi i PD: “Ta nisim sot këtë punë, që nesër të mos themi se nuk kemi kohë”.  Ai tha se sistemi elektronik i zgjedhjeve duhet të jetë kryefjala e Reformës Zgjedhore.

Ndërsa bashkëkryetari i PS për Komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore, Blendi Çuçi tha se “PS ulet në tryezë pa asnjë paragjykim, pa asnjë parakusht. Edhe çështjen e aplikimit të teknologjisë në zgjedhje, ta diskutojmë, dhe nëse është e mundur pa diskutim ta realizojmë.”

Tema e sistemit elektronik të zgjedhjeve ishte çështja më e debatuar para zgjedhjeve të 25 qershorit, me opozitën që i kërkonte me ngulm si garanci për zgjedhje të lira, ndërsa mazhoranca kundërshtonte duke argumentuar se s’kishte kohë për aplikimin e teknologjisë.

Pas inicimit të mbledhjes për Reformën Zgjedhore nga ana e Kryetarit të Kuvendit, puna vazhdon nën drejtimin e bashkëkryetarëve Bylykbashi – Çuçi.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi nuk u dha fjalën përfaqësuesve të partive të tjera politike përveç PS-PD të përfaqësuara nga bashkëkryetarët, çka solli reagimin e opozitës, të cilët e quajtën këtë veprim “arrogant”.

Lidhur me debatet për zgjedhjet e kaluara ishin legjitime apo jo, Ruçi tha se “nuk është detyrë e këtij komisioni të përcaktojë se si kanë qenë zgjedhjet. Këto i kanë përcaktuar, institucionet dhe gjykatat e këtij vendi, me pozitivistet apo vërejtje edhe institucionet përkatëse me raportet ndërkombëtare.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat