Shqipëria rifiton 200 km katrorë të humbura nga marrëveshja e detit me Greqinë

Shqipëria

Shqipëria rifiton 200 km katrorë të humbura nga marrëveshja e detit me Greqinë

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 09:18
Takimi Kotzias-Bushati

Bisedimet e Kotzias me homologun shqiptar Ditmir Bushati u fokusuan në problemet e minoritetit grek që jeton në Shqipëri, si dhe u diskutua për pikat e mbetura pezull në marrëveshjet për të cilat palët kanë dakortësi ose qasje.

Ajo që thuajse është përfunduar, është Marrëveshja e Detit, ku sipas informacioneve të Top Channel, dakortësia u arrit.

Pala greke pranoi se me marrëveshjen e 2009, Shqipëria humb sovranitet në territor ndaj dhe është rënë dakord që të ketë një hartë të re. Pikërisht për këtë, do të ketë referime të reja në terren, nga të cilat Shqipëria nuk humb asnjë metër katror sipërfaqe.

Çështja e varrezave të të rënëve të ushtarëve grekë në Luftën e Dytë Botërore do t’i bashkëngjitet listës së çështjeve të mbyllura mes dy vendeve.

Për Ligjin e Luftës, presidenca greke ka vlerësuar se heqja mund t’i bashkëngjitet traktatit të ri të miqësisë, i cili do të formulohet në muajt në vazhdim.

Në një interviste dhënë për Top Channel, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zbuloi disa nga detajet e takimit.

“Kjo është një dosje jo e lehtë. Është rreth 70 e ca vjeçare e për pasojë kërkon kohën e vetë dhe instrumentet e duhur për një zgjidhje sipas frymës europiane dhe së drejtës ndërkombëtare”, ka deklaruar Bushati.

Shefi i diplomacisë ka nënvizuar se, pala shqiptare është paraqitur në këtë takim me një paketë, “ku çështjet janë vendosur sipas një tematike kohore dhe logjike”.

Por, “përsa kohë do vijojmë këtë proces diskutimi intensiv me palën greke do të më pëlqente të isha i rezervuar dhe i matur në deklarata”, ka shtuar Bushati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat