Çfarë po bëjnë hetuesit për të zbardhur misterin e avokatit të zhdukur në traget

Shqipëria

Çfarë po bëjnë hetuesit për të zbardhur misterin e avokatit të zhdukur në traget

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 12:10
Foto ilustruese

Mbetet ende mister fati i avokatit Besnik Muço ik zhdukur sapo hipi në tragetin e linjës Durrës –Bari në 2 nëntor, por nuk zbriti në destinacion. Bashkëshortja e tij, që ndodhet në Itali, ka denoncuar në autoritetet dhe mediat italiane për zhdukjen e të shoqit. Sipas të dhënave të Policisë së Durrësit, avokati 54-vjeçar u nis më 2 nëntor, por që nga ajo ditë, humbi gjurmët dhe gruaja e tij, Raimonda, shkoi fillimisht në Policinë italiane për të bërë denoncimin.

Sipas bashkëshortes, ata duhej të takoheshin në Macerata të Italisë, por që ai nuk ka zbritur nga trageti. Vëllai i 54- vjeçarit, ka deklaruar në policinë e Durrësit se ka kontaktuar me Besnikun pak minuta para nisjes së tragetit dhe prej atij momenti, telefoni i tij rezulton i fikur. Nga verifikimi paraprak, rezulton Besnik Muço të ketë kryer check-in dhe të jetë imbarkuar në tragetin e linjës Durrës-Bari, por nuk ka informacion nëse ka zbritur në Bari apo jo.

Po ashtu, burimet thonë se do të verifikohen kamerat e tragetit për të parë lëvizjet e personit të zhdukur, si dhe do kërkohet nga autoritetet shqiptare te homologet e tyre kufitarë italianë, nëse ka zbritur ose jo në portin e Barit. Gjithashtu, nëpërmjet kamerave, do të verifikohet nëse për rrethana të paqarta, avokati mund të ketë zbritur sërish nga trageti.

Ndaj po verifikohen edhe tabulatet telefonike për të saktësuar nëse para nisjes ka pasur ndonjë telefonatë, çka e ka detyruar atë të zbresë sërish. Për këtë shkak, hetuesit e Policisë që po punojnë për këtë ngjarje, kanë kërkuar nga Policia Kufitare të verifikojë sistemin “Tims” për të verifikuar nëse ka kaluar kufirin shqiptar apo jo si dhe i kërkuan të kontaktohet Policia Kufitare në portin e Barit dhe të saktësohet nëse ai ka zbritur në këtë port.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat