Rama hodhi firmën, por a i plotëson kriteret për ambasador Visho Ajazi?

Shqipëria

Rama hodhi firmën, por a i plotëson kriteret për ambasador Visho Ajazi?

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 20:41
Visho Ajazi

Visho Ajazi Lika, ish-kreu i SHISH, i dorëhequr në fillim të muajit Nëntor, është propozuar sot nga kryeministri Edi Rama si ambasador i Shqipërisë në NATO.  Propozimi i është drejtuar Presidentit Ilir Meta, i cili në bazë të Kushtetutës, ka të drejtën ta dekretojë ose jo.

Shumë kush pas këtij propozimi mund të hamendësojë se ky është një “deal” i pastër me kryeministrit Edi Rama dhe Visho Ajazi Likës. Pa dashur të futemi në këtë spirale, e vetmja pyetje e sigurtë që mund të shtrohet është; A i plotëson Visho Ajazi Lika kushtet e ligjit për Shërbimin e Jashtëm për tu emëruar në postin e ambasadorit?

Nëse i hedhim një sy nenit 27 të këtij ligji shihet se kriteret për tu përzgjedhur në krye të misionit diplomatik nuk janë të lehta. Fillimisht kërkohet që kreu i misionit diplomatik përzgjidhet ndërmjet diplomatëve të karrierës me gradë të lartë, jo më pak se këshilltar, gjë që në rastin e Likës nuk mund të thuhet. Por ligji lë hapësirë edhe për kritere të tjera ku kryesorja është se kreu i misionit diplomatik duhet të ketë të paktën 10 vjet përvojë në fushën e politikës së jashtme, marrëdhënieve ndërkombëtare, marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare ose të së drejtës ndërkombëtare, ndër të cilat tre vjet në pozicione drejtuese.

Nëse do t’i referohemi biografisë së punësimit të Visho Ajazi Likës, (të paktën asaj cv-je e publikuar në media) të dhënat për ish-Kreun e SHISH në fushën e politikës së jashtme janë modeste. Rifillimin në administratë (që prej vitit 1997) Visho Ajazi Lika e ka në janar të vitit 2010. Nga kjo kohë (janar 2010) e deri në gusht të vitit 2012, Visho Ajazi Lika mbante një pozicion teknik në qeverinë “Berisha” konkretisht detyrën e zv.ministrit në ministrinë e Inovacionit, Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, e drejtuar asokohe nga Genc Pollo. Pas kësaj periudhe e deri në fund të tetorit të këtij viti, Visho Ajazi Lika ka mbajtur detyrën e drejtorit të SHISH. E vetmja marrëdhënie e Visho Ajazi Likës me ministrinë e Jashtme është maj 1993 – gusht 1994 në detyrën e sekretarit të parë në ambasadën shqiptare në Raid, Arabi Saudite. Në muajin shtator të vitit 1994 e deri në korrik të vitit 1997 Lika ka qënë drejtor i Shërbimit të Jashtëm në SHISH. Pas kësaj periudhë e deri në vitin 2010 Visho Ajazi Lika ka një cv të pasur në fushën e IT-së.

Në nenin 27 të ligjit thuhet gjithashtu se kandidaturat për kreun e misionit diplomatik shqyrtohen nga një komision i posaçëm, i cili i propozon Ministrit të Punëve të Jashtme kandidaturën më të përshtatshme. Komisioni i posaçëm emërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe përbëhet nga pesë anëtarë. Ai drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në përbërje të tij janë dy diplomatë të karrierës me gradën më të lartë dhe dy ekspertë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, proçedurë e cila duket se nuk ka ndodhur për rastin “Lika”, sa kohë që propozimi ka ardhur direct dhe në mënyrë të papritur nga kryeministri Edi Rama.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat