PS dorëzon kërkesën në Kuvend: Ja pse duhet shkarkuar Klement Zguri

Shqipëria

PS dorëzon kërkesën në Kuvend: Ja pse duhet shkarkuar Klement Zguri

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 14:59
Deputetja e PS, Klotilda Bushka

Përmes një deklarate për shtyp Partia Socialiste ka kërkuar sërish shkarkimin nga detyra të kreut të KQZ, Klement Zguri.

Deputetja e PS, Klotilda Bushka th se Zguri ka shkelur ligjin, teksa mbajti anën e kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, duke mos i hequr mandatin.

“Klement Zguri ka shkelur ligjin.

Kreu i KQZ, Zguri mbajti anën e kryetarit të Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj, duke pasur të njëjtën bindje politike me të. Sjellja e Zgurit tregon njëanëshmëri politike”, tha Ferhati.

Deklarata

Jam këtu për t’ju informuar se sot ne, deputetët e mazhorancës, i kemi paraqitur kryetarit të Kuvendit kërkesën për shkarkimin nga detyra të kryetarit të KQZ Klement Zguri për shkelje të rënda të ligjit të dekriminalizimit.

Siç i kemi bërë me dije edhe më parë opinionit publik, kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve z. Klement Zguri arkivoi pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin Agron Faslli Kapllanaj, kryetar i Bashkisë Mallakastër, person ky, i cili rezulton se është dënuar nga gjykata e shtetit italian me vendim të formës së prerë për vjedhje.

Vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë kësaj çështjeje nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij, pasi duhej të ishte Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve si organ kolegjial dhe jo kryetari i këtij komisioni si individ, organi që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë për kryetarin e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj.

Z. Zguri është zgjedhur në detyrën e kryetarit të KQZ si pasojë e marrëveshjes politike të 18 Majit, pa marrë në konsideratë cilësitë që duhet të karakterizojnë nga aspekti i integritetit apo profesionalizmit një kryetar të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Pavarësisht kësaj, ai nuk arriti të ngrihet mbi të kaluarën partiake, duke humbur kështu dhe besimin e investuar për të në marrëveshjen politike të 18 Majit.

Ngjarja e fundit, ku ai përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të përzgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të, është për ne shembull konkret i njëanshmërisë politike dhe mungesës së profesionalizmit.

Thënë këtë, dhe duke u bazuar në dispozitat e ligjit të dekriminalizimit që zbatohet me përparësi ndaj Kodit Zgjedhor dhe  nenit 18, (pika dh) të këtij kodi, ne kërkojmë shkarkimin e z. Klement Zguri nga detyra e kryetarit të KQZ. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat