Rama nuk ndalet: Mediat në Shqipëri po aq të pabesueshme sa gjykatat

Shqipëria

Rama nuk ndalet: Mediat në Shqipëri po aq të pabesueshme sa gjykatat

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 22:05
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama i ftuar sot në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili vazhdoi me idenë e tij, të cilën e ka artikuluar edhe më parë, se mediat në vend janë të pabesueshme.

I pyetur nga Eni Vasili se pse gazetarët janë për t’ju qarë hallin, Rama me një gur qëlloi dy zogj. Ai u shpreh se sot në opinionin publik, mediat janë po aq të pabesueshme sa dhe gjykatat.

Kaq shumë nuk ju pëlqejnë kritikat?

Kur isha në shkollë, rrija në fund kur bënim gjimnastikën e mëngjesit, ai që drejtonte gjimnastikën ma bënte me gisht mua, pse nuk i bën lëvizjet si duhet pavarësisht se të tjerët ishin përgjumësh. Por është efekti i gjatësisë që të vë në qendër të vëmendjes. Ka ndryshim të madh mes kritikës dhe shpifjeve të pabazuara. Kush më njeh e di që unë stimulohem nga kritikat dhe kundërshtimet në diskutim, por kritikat ngrihen mbi ide, ndërsa balta e shpifjeve nuk është kritikë. Ka gjithnjë një moment kur duhen thënë disa të vërteta, që s’janë absolute por janë të miat. Nuk janë strategji për të denigruar ndokënd, por është e vërtetë, për të cilën gjithkush ka arsyet e veta, por këto i kam dhe unë, jo vetëm ju.

Media e vendit tuaj është e pabesueshme, gazetarët për të qarë hallin? Pse t’ju besojmë juve për këtë që thoni?

Bëji një pyetje vetes, se pse ajo që thashë unë në konferencë nuk skandalizoi askënd. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë për t’u çuditur nëse edhe kryeministri shpreh opinione. Bëni një anketim e do çuditeni, sot në opinionin publik mediat janë po aq të pabesueshme sa gjykatat, niveli më i ulët i besueshmërisë në Republikën e Shqipërisë. Këto janë fjalët e mia. Ju s’jeni të detyruar t’i merrni për të vërteta, por ju ftoj të pyesni publikun, të merrni opinionin e tij lidhur me besueshmërinë e mediave, dhe do nxirrni konkluzione vetë.

Mediat e kanë një mënyrë për të bërë sondazhet e tyre…

Audienca nuk është kriteri më i mirë për të kuptuar besueshmërinë. Unë flas për mediat në tërësi. Nëse ju do t’i drejtoheni opinionit publik me një anketim serioz, do të kuptoni se ajo çka unë them nuk është larg përceptimit të opinionit publik për mediat. Janë sot po aq të pabesueshme sa gjykatat, që janë niveli më i ulët i besueshmërisë të qytetarëve te këto institucione. Në botën e medias, jo çdo gjë është për t’u hedhur poshtë. Ka shërbime të mira ndaj publikut, por është njësoj si ato materialet e vlefshme në një kazan ku shumica e gjërave janë për t’u hedhur.

Ju keni bërë sondazh sa i besueshëm jeni?

I kam bërë, por nuk më takon mua ta them. Por po ua përsëris, mediat janë sot po aq të pabesueshme sa gjykatat. Nuk ju kërkoj ta besoni këtë gjë, nuk keni nevojë të konsultoni sondazhet e mia, por të bëni tuajat.

Ky është qëllimi t’i deligjitimoni ato?

Nëse ka diçka në punën time, është që të bëj më të mirën. Nuk përbën objektiv për mua, krijimi i një klime negative për një fushë të caktuar. Nuk është ky qëllimi im. Nëse unë shpreh një opinion, ju duhet ta merrni si të tillë, dhe si një të drejtë që ju nuk ma hiqni dot, dhe as ma shkelni dot. Unë ju siguroj, ka vetëm një bumerang që unë i trembem, atij të vendimeve dhe veprimeve të mia, që në këtë punë që bëj janë të panuërmta, dhe duke bërë këtë punë, jo gjithmonë je në kushtet që të mos gabosh. Bumerangu nga veprimet e mia është e vetmja gjë që unë shqetësohem. Të bësh këtë punë nuk është aspak diçka që lidhet me rehatinë, apo të bërit të gjërave me siguri. Kjo është një punë që ka një kosto të jashtëzakonshme shpirtërore, fizike dhe mendore, në kuptimin e një stresi që është permanent. Patjetër që në këtë punë është e rëndësishme që të bësh gjënë e duhur dhe të drejtë.

Unë nuk kam shpifur kurrë. Kurrë nuk e kam parë shpifjen si instrument politik. Nëse kam fyer dikë, nuk ka qenë ky qëllimi ynë. Ajo që është themelore, është se unë përpiqem të jem as më i vërtetë, në gjithçka shpreh. Kam dhënë opinionin tim, dhe atyre që kam thënë, nuk i heq asnjë presje.

Skandalet e mëdha në Shqipëri a nuk i ka denoncuar media? Si për shembull fushat me kanabis?

Unë flas për gjendjen e medias dhe kam thënë atë që kam meduar.

Nuk jeni përgjegjës se po krijoni psikozë anti-media?

Unë kam një mendim timin, që e kam bindje të fortë. Këtë publik, shqiptarët nuk ka asnjë forcë që t’i bësh për budallenj. Nuk i bën dot të mendojnë në një formë të caktuar duke i manipuluar. Unë nuk kam asnjë fuqi ta bëj këtë. Mbi të gjitha nëse mediat do të ishin të besueshme në sytë e publikut, do ishte ajo që ju e quajtët bumerang për mua. Nuk është ky qëllimi im. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat