Vettingu/ “Spiunimet”, si do të denoncohen gjyqtarët dhe prokurorët

Shqipëria

Vettingu/ “Spiunimet”, si do të denoncohen gjyqtarët dhe prokurorët

Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 08:05
ilustrim

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i bën apel qytetarëve që të denoncojnë  prova gjatë rivlerësimit.

Publiku mund të bëhet aktor i rëndësishëm në procesin e vettingut ndaj çdo gjyqtari apo prokurori, ndaj të cilit posedohen të dhëna kompromentuese që nga korrupsioni, fshehja e pasurisë, kontaktet me individë që i përkasin krimit të organizuar e deri tek shkelja e etikës dhe zvarritja e proceseve nga njerëzit e drejtësisë. Për këtë arsye, Komisioni i Pavarur i Kualfikimit ftoi publikun që të përdorë faqen e internetit për të denoncuar rastet e hasura të abuzimeve.

Sipas njoftimit të shpërndarë, cddokush mund të klikojë në faqen online kpk.al, ku në krahun e djathtë të saj gjendet formulari i denoncimit prej publikut. Në formularin që mund të plotësohet online apo edhe të dorëzohet me postë, denoncuesi duhet të vendosë emrin e mbiemrin së bashku me numrin personal të kartës së identitetit, adresën e banimit dhe numrin e telefonit. Më tej të plota duhet të vendosen identiteti i gjyqtarit apo prokurorit të denoncuar, si edhe nëse është dorëzuar më herët ndaj tij një ankesë dhe në cilat organe – pyet Komsioni i Pavarur i Kualfikimit.

Përshkruani në mënyrë të saktë – udhëzohet më tej – shkeljet që po denoncohen, si dhe çdo provë apo të dhënë që posedohet, që nga dokumentat deri tek fotografitë. Ndërkohë, në njoftimin për shtyp KPK sqaron se misioni i këtij organi nuk është të rishikojë vendimet e gjykatave, por të mbledhë të dhëna lidhur me veprime korruptive që më pas kanë ndikuar në vendimmarrje. Të parët që do të verifikohen janë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, si edhe kandidatëve për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Dy ditë më parë u vendos që gjashtë gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës të kalojnë në proces vetingu ndërsa përzgjedhja është bërë nëpërmjet një shorti. Shorti i hedhur përcaktoi se gjyqtarët Brunilda Kadi, Brunilda Kasmi, Artan Lazaj, Astrit Faqolli, Alma Brati dhe Bledar Abdullai do të kalojnë për verifikim. U përzgjedhën gjithashtu 25 dosje që kanë gjykuar këta gjyqtarë dhe më pas do të kalojnë në filtrin e anëtarëve të komisionit të vetingut. Në ditët e kaluara shorti për procesin e vetingut është hedhur edhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku më 13 nëntor u hodh shorti për dosjet e dy gjyqtarëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj dhe Nertina Kosova, të cilët janë kandidatë për në KLGJ.

Më vonë do të përzgjidhen edhe dosjet për kandidatët e tjerë të KLGJ: Besim Trezhnjeva, Gjykata e Apelit Durrës; Manjola Xhaxho, Gjykata e Tiranës; Artan Lazaj, gjyqtar; Alma Brati, gjyqtare; Astrit Faqolli, gjyqtar në Tiranë; Brunilda Kasmi, gjyqtare në Tiranë; Bledar Abdullai, gjyqtar në Tiranë; Marçela Shehu, gjyqtare në Kurbin. Nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë përzgjedhur 35 dosje të cilat do të vlerësohen fillimisht nga Inspektorati i KLD dhe më pas do t’i përcillen me një relacion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Këto dosje i përkasin gjykimeve të vitit 2013-2016, ndërsa relacioni i Inspektoratit të KLD-së do t’i bashkëngjitet relacionit të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive dhe Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar. Sakaq, gjyqtarët e Kushtetueses që do t’i nënshtrohen këtij kontrollit janë: Bashkim Dedja, kryetar i rizgjedhur pak javë më parë në Gjykatën Kushtetuese si dhe anëtarët Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, Besnik Imeraj dhe Fatos Lulo.

Rama: Vetting në polici, nga janari

Nga Akademia e Sigurisë, një Konferencë shkencore ndërkombëtare mbi sfidat bashkëkohore të sigurisë, kryeministri Edi Rama tha se lufta kunder krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale që prej vitesh nuk janë goditur, është në fokusin dhe prioritetin e Policisë së Shtetit. Ai tha se vetingu në radhët e Policisë do japë rezultate. Kështu kryeministri Rama paralajmëroi se nga janari do të japë rezultat ky veting. “Pastëria e radhëve të policisë, integriteti i lartë është parakusht i domosdoshëm dhe padiskutueshëm, ne kemi bërë sa kemi mundur jo sa kemi dashur në funksion të rritjes së shpërblimit moral e financiar për punonjësit e policisë, do vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë, por procesi historik i pastrimit të policisë së shtetit, sikurse edhe të gjyqësorit nga elementë të kriminalizuar, korruptuar, por edhe të paaftë do vijojë me vendosmëri në radhët e policisë së shtetit e pastaj të gjitha strukturave të tjera ligjzbatuese. Vetingu që është organizuar e do fillojë në policinë e shtetit nga janari do japë rezultate të qenësishme sikundër kam besim se brezat që do dalin duke nisur nga së shpejti prej Akademisë do jenë një burim i jashtëzakonshëm transformimi të gjakut të policisë së shtetit.” – tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat