Policia në alarm nga aksidentet, e nis me këshillim, por këmbësorët i pret gjoba nëse…

Shqipëria

Policia në alarm nga aksidentet, e nis me këshillim, por këmbësorët i pret gjoba nëse…

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 13:42
Ilustrim

Policia Rrugore e Tiranës ka vënë në zbatim një plan të ri masash për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjes së parametrave të sigurisë në rrugë.

Pasi është bërë një analizë e shkaqeve të aksidenteve të ndodhura ditët e fundit, nga ku rezulton se në shumicën e ngjarjeve viktima kanë rezultuar këmbësorët, Policia është përqendruar më shumë në këtë drejtim.

Është parashikuar që në shërbimet e Policisë Rrugore apo të Patrullave të Përgjithshme të vendosen në vendkalimet për qytetarët në pikat ku ka më shumë lëvizje të qytetarëve.

Por, pa lënë jashtë vëmendjes edhe pikat e tjera, me qëllim monitorimin, këshillimin dhe orientimin e qytetarëve për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor. Pas një periudhe të caktuar sensibilizuese e ndërgjegjësuese, Policia Rrugore do të aplikojë edhe masat administrative për qytetarët që nuk zbatojnë rregullat.

PLANI I MASAVE

Në zbatim të planit të ri të masave të Policisë Rrugore, është bërë fillimisht një planimetri e vendosjes së shërbimeve. Është përcaktuar mënyra e kombinimit të radarëve në akset rrugore të brendshme, por edhe në akset nacionale që lidhen me Tiranën me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara.

Do të bëhet koordinim i shërbimeve me Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, duke evidentuar dhe ndëshkuar në kohë, në çdo aks rrugor, shkelësit e Kodit Rrugor. Është urdhëruar kontroll në mënyrë të pandërprerë me aparatin “Drager” për parandalimin e përdorimit të alkoolit gjatë drejtimit të mjetit.

PROBLEMATIKAT

Aktualisht, Policia Rrugore e Tiranës po përballet me mbingarkesë shërbimesh, duke pasur si angazhim kryesor rregullimin e trafikut. Kjo për arsye se momentalisht në Tiranë numërohen 11 kantiere ku po kryhen punime në rrugë e që për pasojë sjellin vështirësi në qarkullim.

Por, veç trafikut të mbingarkuar, që kërkon angazhimin e një numri më të madh shërbimesh, punimet në rrugë shpesh janë bërë edhe shkak për aksidente. Makinat e tonazhit të rëndë që futen brenda unazës së qytetit, urbanët e disa linjave, autobusët e rretheve, etj., herë pas here bëhen shkak aksidentesh dhe sjellin edhe rëndim të trafikut. Policia Rrugore e Tiranës ka pasur një letërkëmbim të vazhdueshëm me Entin Pronar të Rrugëve, Bashkinë e Tiranës e të Kamzës, por pa arritur ende asnjë rezultat sa i përket sinjalistikës, apo vijëzimeve të rrugëve. Deri tani është bërë rregullimi i sinjalistikës nga Bashkia e Tiranës, por në disa raste, për shkak të ndërprerjes së energjisë, semaforët nuk funksionojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat