Xhaçka mbledh 12 prefektët e rinj: Zyra juaj duhet të jetë terreni

Shqipëria

Xhaçka mbledh 12 prefektët e rinj: Zyra juaj duhet të jetë terreni

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 15:26
Xhaçka në një takim me 12 prefektët e sapoemëruar në vend,

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një takim me 12 prefektët e sapoemëruar në vend, kërkoi një planifikim të qartë masash për parandalimin dhe për menaxhimin e Emergjencave Civile.

“Masat e marra gjatë emergjencave civile kanë impakt direkt në jetën e komunitetit. Për mangësitë e konstatuara në udhëzime apo akte të tjera, do vlerësoja maksimalisht, kontributin tuaj të mirëkoordinuar, me qëllim përmirësimin dhe lehtësimin e punës për çdo hallkë që është pjesë e Emergjencave Civile. 

Por në rastet e emergjencës, besoj se çdonjëri prej nesh do e kishte të vështirë të mbështetej tek mangësitë, për të evituar zgjidhjen e situatës. Pra, prioriteti ynë kryesor, është garancia për komunitetin në çdo qytet, fshat, komunë, që ne jemi prezent me plane të koordinuar mirë dhe me kapacitetet e nevojshme që garantojnë zgjidhje në raste emergjencash”, tha ministrja e Mbrojtjes. 

“Në raste emergjencash dhe ngjarjesh të jashtëzakonshme, zyra juaj duhet të jetë terreni, sikurse kompetenca juaj është ndjekja e Planit të Veprimit hap pas hapi”,- iu drejtua ajo prefektëve të rinj. Ministrja e Mbrojtjes kërkoi nga prefektët veprim të shpejtë dhe të zhdërvjellët sipas pikave të një plani të qartë veprimi, të konceptuar si një Protokoll Tip Veprimesh në situata të jashtëzakonshme. 

Në ditët në vijim, ministrja Xhaçka do të thërrasë një takim të zgjeruar me të gjithë kryetarët e bashkive në vend dhe drejtuesit e njësive administrative për të koordinuar masat dhe për të dhënë orientimet për përballimin e emergjencave në ditët e vështira të dimrit. 

Sipas ligjit “Për emergjencat civile” dhe akteve nënligjore përkatëse në dhe për zbatim të tij, Komisioni i Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, ka si kryetar prefektin e qarkut. Ndërkohë, Zyra Qendrore e Emergjencave Civile, është parashikuar të funksionojë këtej e tutje si strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat