Diplomacia ekonomike, Bushati: BE shembulli më i mirë i bashkëpunimit

Shqipëria

Diplomacia ekonomike, Bushati: BE shembulli më i mirë i bashkëpunimit

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 20:17
Ditmir Bushati

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati çeli sot në Tiranë punimet për takimin tre-ditor me Ambasadorët e Shqipërisë në botë për “Ridimensionimin e Diplomacisë Ekonomike Shqiptare: Sfida dhe Mundësi”.

Bushati, e cilësoi shumë të rëndësishme ndërthurjen mes politikës dhe ekonomisë. Ai vuri në pah nevojën e diplomacisë ekonomike në funksion të mirëqenies dhe sigurisë qytetarëve.

Për këtë arsye, vijoi ai, "shembulli më i mirë është Bashkimi Europian ku mirëqenia e bashkëpunimi mes vendeve në funksion të zhvillimit ekonomik ka siguruar jetëgjatësinë më të madhe të paqes e sigurisë në historinë e kontinentit tonë".

Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi se na duhet të integrojmë organikisht në punën e përditshme.

Paneli i parë iu dedikua sipërmarrjes shqiptare jashtë vendit, globalizimit dhe modaliteteve të zgjerimit dhe diskutimi u zhvillua mes ambasadorëve dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Shoqatës së Turizmit Shqiptar (ATA) dhe Dhomës së Fasonëve, të cilët sollën në vëmendje rëndësinë e sipërmarrjes shqiptare dhe mbështetjen e saj për të qenë kompetetivë jashtë vendit.

Ky takim do të vijojë përgjatë tre ditëve me pjesëmarrjen edhe të Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat