Mos ma prek Valbonën!

Shqipëria

Mos ma prek Valbonën!

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 08:20
Valbonë

Më 3 nëntor 2017 Gjykata Administrative në Tiranë i cilësoi të ligjshme punimet e hidrocentraleve në Valbonë, aq shumë të kundërshtuara prej më tepër se një viti nga banorët e zonës, ekspertë dhe shoqëria civile.

Planet për ndërtimin e hidrocentraleve u bënë të njohuar në janar të vitit 2016, kur doli dhe lajmi se brenda 30 kilometrave në lumin e Valbonës do të ndërtohen 13 HEC-e, tetë nga të cilët ndodhen krejtësisht në brendësi të Parkut Kombëtar.

Dhënia e vendimit shkaktoi zemëratën e banorëve, të cilët atë ditë deklaruan se kishin shpresuar për një sistem të pastër gjyqësor, por që u rezultoi më i pisët se kurrë. Organizatorja më e flaktë e kësaj kauze është një amerikane që jeton prej vitesh në këtë zonë. Catherine Bohne doli e përlotur nga salla e gjyqit atë ditë. "Të gjithë e dinë që sistemi nuk punon shumë mirë në Shqipëri dhe patjetër që do të vazhdojmë me apel edhe në Gjykatën e Lartë. Tani është luftë komplet"-tha Bohne për mediat.

Reagime me zemëratë të banorëve

Beteja gjyqësore nuk është i vetmi hap që këta banorë kanë ndërmarrë. Ata janë shumë aktivë edhe me protestat dhe reagimet në rrjetet sociale, vend ku shpesh merren edhe përgjigjje që nuk priten. Në një letër të hapur drejtuar kryeministrit, Edona Haklaj, një e re nga Tropoja, i kërkonte ndërhyrjen për të ndalur këtë masakër. "Dje morën një vendim zotëri, e dëgjuat? Dje vendosën "përfundimisht” ta shuanin Valbonën dhe lumin e saj. Dje, lufta e paepur dhe e nisur kohë më parë nxori humbës të gjithë tropojanët, të gjithë shqiptarët, të gjithë ata që e duan Shqipërinë, të gjithë humbëm, biles dhe ju zotëri! Dhe ju jeni një nga humbësit e kësaj beteje, pasi i vetmi fitues në këtë mes është emri HEC! Dhe a pranoni t'ia lini në dorë fitoren dikujt tjetër?”

Image

Arsyetime apo justifikime?

Kryeministri Rama vendosi të përgjigjej në rrjetin e tij social Facebook, duke theksuar se ai nuk kishte në dorë drejtimin e gjykatave të vendit. "Në fakt unë e kam bërë detyrën time, domethënë gjithçka që mund të bëja, për një projekt që të miratuar më parë nga dikush që fjalën Tropojë e ka dëgjuar shumë dekada para meje dhe Valbonën e ka shijuar mijëra e mijëra herë më shumë se sa unë. Në projektin e miratuar prej tij nuk ishin dy, sa janë sot, po katër HEC-e dhe plus një varg të tjerësh me radhë, bash 13 HEC-e(!) përgjatë Valbonës! Dhe këta katër, që kishin kryer punë me shtetin me të gjitha letrat, ishte qeveria ime që i frenoi për t'i rishikuar, duke i reduktuar në dy në numër dhe transformuar në formë e përmbajtje; ndërkohe që vargut të 9-të të tjerave nuk u janë dhënë letrat e fundit që u mungonin. Do të më vinte keq nëse do ta merrnit këtë shpjegim si fajësim të atij që i'a bëri peshqesh Tropojës e Valbonës këtë zhvillim të paarsyeshëm, sepse në fakt çka dua të bëj është vetëm t'ju tregoj se e kam bërë gjithçka ka qenë e mundur me timonin tim, që dy HEC-et e dala nga rishikimi të bëheshin miqësore me mjedisin. Dhe më besoni, janë shumë më të pranueshme se ç'ishin, edhe pse unë ato leje s'do t'i kisha dhënë kurrë (por as nuk i anuloja dot, sepse janë dhënë nga qeveria shqiptare e kjo, ligjërisht do të mjaftonte që në rast anulimi, HEC-et të bëheshin prapëseprapë – jo 2 po 13 – edhe shteti të merrte penalitet financiar, për mohimin po nga qeveria shqiptare të një të drejte të dhënë më parë)” – argumentoi kreu i qeverisë.

Në kohën kur u zbulua dhe skandali i ndërtimeve të HEC-eve mbi lumin Valbonë, në media u publikuan kontratat koncesionare, pjesa më e madhe e të cilave janë miratuar dhe firmosur në periudhën 2009-2013.

Image

Humbje për të gjithë

Valbona është e vetme në llojin e tij si lumë dhe shkatërrimi i saj do të sillte humbjen e një vlere të paçmuar për Shqipërinë e për gjithë botën. Në rast se lejoht miratimi i ndërtimit të HEC-eve Valbona do të dënohet duke u futur në 25 km tunele e tuba, duke ua marrë ujin banorëve që jetojnë në Luginën e Valbonës, e si pasojë duke dëmtuar bujqësinë dhe duke ua prerë të vetmin burim të ardhurash banorëve - turizmin që është zhvilluar vetëm nga Lumi Valbonë. Asnjë turist nuk do të vinte të shihte tuba e beton në vend të një lumi.
Me futjen e Valbonës në tuba, dënohet me vdekje edhe trofta endemike e Valbonës si dhe shumë lloje të tjera peshqish e gjallesash të pastudiuara më parë.

Protestat vazhdojnë

Protesta e radhës kundër ndërtimeve të 13 hidrocentraleve në Valbonë do të mbahet të shtunën, më 18 nëntor 2017, ku do të marshohet drejt Kryeministrisë për të kërkuar shpëtimin e Valbonës./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat