Vrasja e Cukut/ Ç’ndodhi dje në gjyqin e Shallarit, pse seanca u bë pa audioregjistrim

Shqipëria

Vrasja e Cukut/ Ç’ndodhi dje në gjyqin e Shallarit, pse seanca u bë pa audioregjistrim

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 11:47
Foto arkiv -Mikel Shallari

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e Mikel Shallarit për ndryshimin e masës së sigurisë dhe për shpalljen e pavlefshme të disa provave, që mbrojtja pretendon se janë marrë jashtë afateve.

I akuzuari për vrasjen e komisar Artan Cukut, më 8 prill të vitit 2017, kishte kërkuar tri ditë më parë që të lirohej. Seanca e djeshme është zhvilluar me debate, teksa avokati i Shallarit, Vladimir Cjapi, ka kërkuar që ajo të zhvillohet pa praninë e mediave. Sipas tij, Mikel Shallarit i kërcënohet jeta.

Edhe vetë gjyqtari vendosi që seancën ta zhvillonte pa praninë e mediave, si edhe pa audioregjistrim, për shkak të sekretit hetimor, pasi çështja është ende në fazën e hetimeve paraprake.

Me gjithë ngulmimin e avokatit se Mikel Shallarit i rrezikohet jeta, qoftë edhe në burg, gjyqtari vendosi rrëzimin e dy kërkesave të të akuzuarit. Seanca zgjati plot 45 minuta.

Dëshmia në Prokurori

Mikel Shallari pati deklaruar në Prokurori, pas arrestimit për vrasjen, se ishte paguar për ta kryer atë. Burimet thonë se Mikel Shallari ka thënë se, në kontakt me porositësit e atentatit kishte rënë përmes një të afërmi të tij. Ky i fundit kishte organizuar një takim mes tij dhe dy porositësve, të cilët, sipas autorit të dyshuar, ishin, njëri nga Vlora dhe tjetri nga Fieri.

Takimi është zhvilluar në një lokal në kryeqytet dhe se porositësit kërkonin dikë që nuk kishte hesape me drejtësinë, në mënyrë që të mos kapej nga Policia. Ata i kishin premtuar 15 mijë euro për vrasjen e Artan Cukut, 3500 nga të cilat Shallari ka thënë se i mori paradhënie. Gjithashtu, i riu ka thënë se porositësit u siguruan që ai të pajisej me dy armë zjarri pistoletë dhe me një automjet për atentatin.

Shallari ka thënë se nuk i mban mend fytyrat e porositësve, pasi ata e kishin detyruar që të mos i shihte, në të kundërt do ta vrisnin. I njëjti kërcënim vlente edhe në rast se ai do të tregonte emrat e tyre në qoftë se arrestohej. “Do të të vras po ma përmende emrin, mbaroje këtë punë”, mësohet t’i ketë thënë njëri prej porositësve Shallarit gjatë takimit.

Identifikimi i Shallarit

Vrasja e Artan Cukut u krye më 8 prill të këtij viti, në hyrjen e pallatit ku ai banonte. Autori e ka ndjekur komisarin dhe më pas e ka qëlluar me armë zjarri duke e vrarë. Gjatë largimit nga vendngjarja, ai ka hedhur rrobat që mbante veshur në një kosh mbeturinash, të cilat u gjetën nga organet ligjzbatuese.

Aty, Prokuroria arriti të krijonte një profil të ADN-së të autorit. Prova vendimtare që çoi në zbulimin e identitetit të Mikel Shallarit, erdhi nga Zvicra. Dosja penale që Shallari kishte atje, përmbante edhe provën e ADN-së, ku krahasimi me profilin e ndërtuar çoi në identifikimin e tij si autor. Por ky person vijonte të ishte i lirë dhe Policia ende nuk kishte rënë në gjurmët e tij.

Në këtë mënyrë u kërkua inskenimi i një aksioni të Policisë Rrugore, me qëllim kryerjen e testit të alkoolit. Në fakt nuk bëhej fjalë vetëm për Mikel Shallarin, por edhe për disa persona të tjerë, që kishin qenë në të njëjtin burg me të në Zvicër, emrat e të cilëve po ashtu kishin mbërritur në Tiranë nga Interpol Berna.

Vrasja e komisar Cukut/ Shallari ndryshon dëshminë, bën kërkesën e papritur

I akuzuari për vrasjen e komisarit Artan Cuku ka ndryshuar befas dëshmi dhe kërkon që të lirohet. “Panorama” mëson se avokati i Mikel Shallarit ka depozituar ditën e djeshme pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda një kërkesë për t’u liruar nga paraburgimi, ku po mbahet që prej 10 qershorit të këtij viti.

Burimet thonë se Mikel Shallari pretendon se ndaj tij nuk ka prova për vrasjen e kryer dhe se ai po mbahet pa arsye në paraburgim. Kjo kthesë e tij në dëshmi bie ndesh me atë që ka thënë para hetuesve për vrasjen e bujshme që ka ndodhur më 8 prill të këtij viti, ku komisari u ekzekutua në hyrjen e pallatit ku banonte.

Shallari mësohet të ketë thënë para hetuesve se ai i kishte takuar porositësit e atentatit ndaj Artan Cukut përmes një të afërmi të tij. Sipas Shallarit, i afërmi i kishte thënë se porositësit ishin nga Jugu i Shqipërisë dhe se kërkonin dikë që nuk kishte probleme me ligjin, në mënyrë që të mos kapej.

Shallari ka thënë se takimin me porositësit e kishte kryer në një lokal në Tiranë dhe se personi që ofronte paratë për vrasjen e kishte kërcënuar dhe urdhëruar që të mos ia shihte fytyrën.

“Të vras po ma përmende emrin dhe mbaroje këtë punë. Mos më shiko në fytyrë”, mësohet t’i ketë thënë porositësi të arrestuarit, sipas rrëfimit të atij vetë në Prokurori. Gjithashtu, ai ka dhënë më herët detaje për pagesën, ku fillimisht ka marrë 3500 euro për vrasjen dhe pas kryerjes së saj, 15 mijë euro.

Gjithashtu, në dispozicion të tij janë vënë edhe dy armë zjarri dhe një automjet. Pavarësisht mohimeve të tanishme të Shallarit për atentatin, ai u identifikua si autor i dyshuar përmes ADN-së.

Profili gjenetik i personit që dyshohet se kreu ekzekutimin e ish-drejtorit të Policisë, Artan Cukut, u arrit të ndërtohej nga mbetjet biologjike në rrobat që ai mbante veshur në momentin e krimit. Ai i kishte hedhur rrobat pas Postës nr.8 në Tiranë, ku ishte filmuar edhe nga kamerat e sigurisë së bizneseve private.

Analiza e ADN-së u krye edhe me ndihmën e laboratorëve të Policive të vendeve të BE-së. Ndërsa prova vendimtare që çoi në zbulimin e identitetit të Mikel Shallarit erdhi nga Zvicra.

Dosja penale që Shallari kishte atje, përmbante edhe provën e ADN-së, ku krahasimi me profilin e ndërtuar çoi në identifikimin e tij si autor. Por ky person vijonte të ishte i lirë dhe Policia ende nuk kishte rënë në gjurmët e tij. Në këtë mënyrë u kërkua inskenimi i një aksioni të Policisë Rrugore, me qëllim kryerjen e testit të alkoolit.

Në fakt nuk bëhej fjalë vetëm për Mikel Shallarin, por edhe për disa persona të tjerë, që kishin qenë në të njëjtin burg me të në Zvicër, emrat e të cilëve po ashtu kishin mbërritur në Tiranë nga Interpol Berna. Për kërkesën e papritur të Shallarit pritet që Gjykata e Krimeve të Rënda të marrë një vendim së shpejti.

Ndërkohë, burimet thonë se porositësit e atentatit mund të jenë larguar nga vendi. Hetimet për identifikimin e tyre vazhdojnë nga ana e organit të akuzës. Artan Cuku u ekzekutua më 8 prill të këtij viti, në hollin e pallatit ku banonte. Autori i dyshuar e kishte ndjekur në çdo lëvizje dhe e qëlloi nga pas me armë zjarri. Ndërkohë që largohej, ai ishte filmuar nga kamerat e bizneseve aty pranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat