Ja kush ishte zyrtari që zbuloi vjedhjen e tokave shtetërore në Spille

Shqipëria

Ja kush ishte zyrtari që zbuloi vjedhjen e tokave shtetërore në Spille

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 08:08
Spille

Hetimi i prokurorisë së Kavajës që zbuloi 36 hektarë tokë shtetërore e cila është vjedhur nëpërmjet dokumentave falso nga zyrtarë dhe ish-funksionarë të Shtetit,është ndihmuar dhe nga një kallëzim i bërë nga Krytari i Këshillit Qarkut Tiranë Aldrin Dalipi.Dalipi zbuloi se në emër të tij ishin firmosur dhe vulosur dy dokumente dhe e kallëzoi rastin në Prokurori në nëntor 2016. Verifikimet dhe më pas ekspertiza e prokurorisë, zbuluan se vula dhe firma e përdorur ishin false, ndërkohë që nuk kishte ekzistuar asnjë korrespondencë e mëparshme mes ZVRPP-së së Kavajës dhe Këshillit të Qarkut në Tiranë për këtë çështje.

”Shqiptarja” zbardh sot të plotë kallëzimin që Dalipi ka depozituar fillimisht në prokurorinë e Tiranës dhe më pas ky kallëzim in është bashkuar hetimit që prokurorët e Kavajës kishin nisur për vjedhjen e tokës shtetërore në plazhin e Spillesë. Ndërkohë prokurorët paralajmërojnë se për këtë çështje në ditët në vijim do nisin një hetim për “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Dalipi ka qënë zyrtari i vetëm që ka kallëzuar këtë skandal me trojet në Spille,skandal i cili pak ditë më parë u materializua nga policia dhe prokuroria e Kavajës me arrestimin e 11 personave, me të cilëve ish-zyrtarë dhe funksionarë të hipotekës, komunës Kryevidh dhe prefekturës Tiranë.

Kallëzimi i Aldrin Dalipit
Pranë institucionit të Këshillit të Qarkut Tiranë në datën 7 nëntor 2016 ka ardhur shkresa me nr. 7152 prot me lëndën “Kërkesë për konfirmim” nga zyra vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë në të cilën kërkohet konfirmimi i institucionit të Këshillit të Qarkut për ndryshimin të zërit kadastral tëg disa parcelave nga tokë “Pa frut”, “Pa frut Ranishte”, “Pyll-Kullotë” në tokë “Arë”.

Kjo kërkesë për konfirmim nga ZVRPP-ja Kavajë i referohej sipas tyre dy shkresave të mëparshme të dërguara nga institucioni ynë me nr. 1608 prot datë 26 korrik 2016 me numër protokolli 1754 të datës 14 shtator 2016. Në këtë shkresë citohej se nga Këshilli i Qarkut Tiranë u janë drejtuar shkresat me nr. 1608 të datës 26 korrik 2016 dhe me nr.1754 të datës 14 shtator 2016 ku konfirmohet ndryshimi i zërit kadastral në parcelat e përmendura në shkresë si dhe kërkohej protësimi i praktikës me planvendosjen e parcelave me sipërfaqet përkatëse dhe pozicionimin e parcelave në hartat përkatëse. Institucioni sipas praktikës ligjore bëri verifikimet dhe kontrollet për shkresat në protokollin e institucionit të Këshillit të Qarkut nga ku rezultoi që këto shkresa nuk ekzistojnë fare.

Asnjë document nga ZVRPP Kavajë
Këshilli i Qarkut Tiranë nuk ka marrë asnjëherë nga ZVRPP-ja Kavajë një kërkesë të sipërcituar dhe Këshilli i Qarkut Rrjedhimisht nuk ka kthyer asnjë përgjigje sikurse vepron ligjërisht me të gjitha praktikën shkresore. Pas marjes në dijeni të këtij fakti Drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës së Këshillit të Qarkut Tiranë Baftjar Kalemi me porosinë time si Kryetar i Këshillit të Qarkut Tiranë është paraqitur më datën 11 nëntor 2016 në institucionin e ZVRPP-së Kavajë për të marrë informacionin për këtë çështje dhe me shumë këmbëngulje arriti të siguronte dorazi fotokopje të këtyre shkresave.

Shkresat me nr. 1608 të datës 26 korrik 2016 dhe me numër 1754 të datës 14 shtator 2016, të marra dorazi në ZVRPP Kavajë, ndonëse ishin fotokopje arrihej fare mirë që nuk ishin shkresa zyrtare të Këshillit të Qarkut Tiranë, pasi elementët si të formës dhe të përmbajtjes si koka e shkresave ishin të ndryshme nga ato të Këshillit të Qarkut Tiranë, formatimi i faqeve, shkrimi dhe firma e kryetarit me sy të lirë dallonin që nuk ishin të prodhuara nga Këshilli i Qarkut Tiranë. Përveç kësaj për më tepër shkresat e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës dalin me firmë të drejtorit përkatës dhe vetëm shkresat përcjellëse dalin me firmë të Kryetarit të Qarkut, pasi Kryetari sipas formatit tonë zyrtar firmos vetëm shkresat përcjellëse në rastin e trajtimit të praktikës së Drejtorisë së Administrit të Tokave.

Verifikimet
Të ndodhur para këtij fakti u morën masat për verifikimin nga unë me cilësinë e titullarit të institucionit duke komunikuar me Drejtorinë e DAMT, përgjegjësin e sektorit të drejtorisë nëse kishin dijeni për këtë çështje. Ata deklaruan mosdijeninë e një veprimi të tillë që në bindjen e të gjithëve është tejet abuziv.

Të ndodhur para faktit ku rezultojnë provat të forta të veprës penale atë të “Falsifikimit të dokumentave zyrtare” me cilësinë e Kryetarit të Qarkut Tiranë menjëherë mora masat dhe u dërgua zyrtarisht ZVRPP Kavajë shkresat me nr. 2223/1 dhe 2223/2 të datës 14 nëntor 2016 me lëndë:”Kërkesë për moskryerje veprimi dhe Transparencë” në të cilën u vunë në dijeni se shkresat e përmendura në shkresën e tyre nuk janë dërguar nga Këshilli i Qarkut Tiranë dhe ju kërkuam gjithashtu të na dërgojnë zyrtarisht të gjithë praktikën shkresore për çështjen në fjalë pranë Këshillit të Qarkut me qëllim transparencën e plotë deri në përdorimin e tyre si prova pranë prokurorisë.

Duke qënë se veprime të tilla përbëjnë elementë të veprës penale të falsifikimit të dokumentave zyrtare, unë Aldrin Dalipi me cilësinë e Krytarit të Këshillit të Qarkut Tiranë, ju bëj këtë kallëzim penal para organit tuaj me shpresën dhe besimin e plotë që kushdo që është përgjegjës për këtë akt të rëndë të mbajë përgjegjësi para ligjit sipas sanksioneve përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat