Nënat me shumë fëmijë/ Si caktohet pensioni i plotë i pleqërisë

Shqipëria

Nënat me shumë fëmijë/ Si caktohet pensioni i plotë i pleqërisë

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 10:53
Ilustrim

Ndryshe nga sa ndodh me kategoritë e tjera, nënat me shumë fëmijë dalin në pension më herët.

Me përcaktimet e bëra në ligjin e sigurimeve shoqërore, saktësohet se nënat që kanë lindur gjashtë, apo më shumë fëmijë kanë të drejtë të përfitojnë pension në moshën 55 vjeçare.

Po sipas ligjit, vjetërsia e punës që kërkohet për të përfituar pension të plotë pleqërie si nënë me shumë fëmijë është 30 vite të konfirmuara nëpërmjet librezës përkatëse të punës.

Gjithashtu, në momentin e paraqitjes së kërkesës për të hyrë në skemën e pensioneve, kjo kategori nuk duhet të jetë duke ushtruar asnjë veprimtari tjetër ekonomike.

Si llogaritet pensioni

Edhe për këtë kategori, pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shumë shtesë. Në mënyrë të detajuar bëhet e ditur se shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar (që është 30 vite sigurimi), shumëzuar kjo me pensionin social.

Më tej sqarohet se krahas shumës bazë, shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tyre të punës të dëshmuar në librezën përkatëse. për të shmangur përfitimet e ulëta, autoritetet e sigurimeve theksojnë se nga llogaritjet që bëhen, në asnjë rast masa e pensionit të caktuar si nënë me shumë fëmijë nuk mund të jete më e vogël se shuma që jepet për pensionin social.

Konkretisht, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social.

Ku duhet të paraqitet kërkesa e daljes në pension

Sikundër ndodh edhe me përfitimet e tjera të skemës së pensioneve, për të përfituar pension pleqërie si nënë me shumë fëmijë, përfituesi duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore që mbulon vendbanimin e tij sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pleqërisë.

Kjo kërkesë mund të bëhet edhe nga një person i autorizuar me prokurë. Në çdo rast, përfituesi për pension pleqërie, ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën  e përfitimit duhet të paraqesë edhe dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin, periudhat e sigurimeve dhe vjetërsinë e punës.

Dosja e dokumenteve të kërkuara

Konkretisht në listën e dokumenteve që vërtetojnë moshën dhe identitetin duhet që të përfshini: “Fotokopjen e kartës së identitetit, certifikatën e gjendjes familjare, certifikatën e martesës që kërkohet vetëm për kërkueset femra.

Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe certifikatë e veçantë lindjeje, martese, ose vdekjeje për fëmijët që nuk figurojnë në certifikatën e gjendjes familjare. Gjithashtu në dosje duhet të përfshini edhe një vërtetim të lëshuar nga komuna apo bashkia për ndryshimin e gjeneralitetit, vërtetim nga qendra e fundit e punës për gjeneralitetin, si dhe dy fotografi.

Dokumentet për vjetërsinë e punës

Në listën e dokumenteve që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës së kryer duhet të jenë: “Libreza e punës, vërtetimi për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj, vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore, vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse periudha e punës nuk provohet me dokumente zyrtare), vërtetimi-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët, fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).

Dokumentet për të ardhurat

Në listën e dokumenteve që vërtetojnë të ardhurat e realizuara duhet të përfshini vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994), si dhe çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

Ndërsa për personat që përfitojnë nga ligji “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe: “Vërtetim i gjendjes gjyqësore, vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik, vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë, si dhe çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat