Tregtuesit ekonomikë të KESH, humbja 31 milionë euro në fund të shtatorit

Shqipëria

Tregtuesit ekonomikë të KESH, humbja 31 milionë euro në fund të shtatorit

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 09:56
Ilustrim

Korporata Elektronenergjetike Shqiptare është përballur me një situatë krejt të kundërt në raport me një vit më parë, teksa të ardhurat kanë rënë dukshëm dhe nga fitimet ka kaluar në humbje. 

Gjendja e saj financiare është vështirësuar muaj pas muaji ndërkohë që në mungesë të prodhimit tashmë është ezauruar plotësisht edhe kredia e Bankës Botërore prej 22.4 milionë euro.

Të dhënat ekonomike tregojnë se KESH ka mundur të sigurojë të ardhura me pikatore nga aktiviteti i saj i gjenerimit që ka në themel operimin dhe menaxhimin e kaskadës së Drinit.

Nga janari në shtator 2017 KESH ka mundur të sigurojë nga aktiviteti i tij në prodhimin e energjisë 4.8 miliardë lekë, që i korrespondon 30 për qind të të ardhurave vjetore që kompania siguroi në vitin parardhës. Në kushtet e vështira KESH  ka “shtrënguar rripin” tek shpenzimet financiare që për 9 mujor janë sa 53% e shpenzimeve vjetore të një viti më parë.

Humbja neto për kompaninë ka shënuar një tjetër rekord në 4.2 miliardë lekë (31 milionë euro) kur një vit më parë situata ishte krejt e kundërt dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare regjistronte fitim nga tregtimi në vend dhe nga eksportet. Konkretisht në fund të vitit 2016 fitimi i kompanisë ishte  1.1 miliarde lekë.

Në kushtet e një viti të thatë KESH ka ulur dukshëm prodhimin. Sipas shifrave zyrtare nga janari në shtator prodhimi regjistroi nivelin 2.32 milionë MWh, 36 për qind më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Zëri që ka munguar këtë vit në treguesit e KESH është ai i blerjes së energjisë nga prodhuesit me përparësi të cilët kanë kaluar nën menaxhimin e OSHEE, dhe është kjo e fundit që lidh kontratat e blerjes.

KESH ndërkohë ka mbajtur aktive, edhe pse në nivel minimal blerjen nga tregu vendas për optimizim në një kuotë prej 33.5 mijë MWh që është më e ulët sesa blerja për këtë qëllim e bërë gjatë vitit 2016 deri në muajin shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat