Ruçi takim me kreun e NDI-së: Së shpejti kod i ri për sjelljen e deputetëve

Shqipëria

Ruçi takim me kreun e NDI-së: Së shpejti kod i ri për sjelljen e deputetëve

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 14:21
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi me kreun e NDI-së

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot në takim Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik Amerikan (NDI), Robert Benjamin, në kuadër të një vizite të tij në vendin tonë.

Kryetari i Kuvendit shprehu konsideratën e veçantë për rolin dhe kontributin e vyer të NDI për zhvillimin e proceseve demokratike dhe tejet të rëndësishme në vendin tonë, për forcimin e institucioneve shtetërore, si dhe rritjen e kapaciteteve, si në kuadër të administratës publike, ashtu dhe në raport me shoqërinë civile, median, etj., në kuadër të forcimit të transparencës ndaj publikut.  Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit paraqiti një panoramë të veprimtarisë parlamentare në këtë legjislaturës të re, duke u ndalur në konkretizimin e Reformës në Drejtësi, ngritjen e Komisionit “Ad Hoc” për Reformën Zgjedhore, si dhe në miratimin e ligjit për pakicat kombëtare. “Për sa më sipër”, - vuri në dukje Kryetari i Kuvendit ,- “ka qenë konsensusi i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”.

Në këtë takim, Ruçi prezantoi dhe disa nga objektivat ku është e përqendruar veprimtaria e Kuvendit në vijim. Kryetari i Kuvendit bëri me dije se ka një projekt/Kod të Sjelljes për deputetët, i cili, me fillimin e legjislaturës së re, është shqyrtuar në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. “Miratimi i Kodit të Sjelljes do të sjellë përmirësimin e etikës parlamentare në një linjë me standardet më të larta të funksionimit të parlamenteve europiane”, - u shpreh ai. Nga ana e tij, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik
Amerikan, z. Robert Benjamin e përgëzoi Kryetarin e Kuvendit për zgjedhjen në këtë detyrë të lartë dhe të rëndësishme të shtetit shqiptar, duke i uruar suksese në ushtrimin e saj. Z. Benjamin vuri theksin në rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit me Kuvendin, si qendra e demokracisë dhe e vendimmarrjes në dobi të interesave të shoqërisë shqiptare. Në këtë kontekst, z. Benjamin vuri në dukje mbështetjen e NDI-së për Kuvendin e Shqipërisë në vazhdimësi dhe në të ardhmen, përmes projekteve dhe nismave konkrete. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat