Kishin detyrë për të arrestuar 3 ish-shefat e policisë, nis hetimi për dekonspirim ndaj efektivëve

Shqipëria

Kishin detyrë për të arrestuar 3 ish-shefat e policisë, nis hetimi për dekonspirim ndaj efektivëve

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 10:41
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka firmosur urdhër-arrestet për 3 ish-drejtues të Policisë së Vlorës, pasi dyshohet se janë të përfshirë në çështjen “Habilaj”, për të cilën është nën hetim edhe Saimir Tahiri.

SHÇBA ka dyshime se operacioni është dekonspiruar. Ish zyrtarët dyshohet se janë  përfshirë në trafikun e kanabisit. 

Duke marrë shkas nga ky dështim, ka nisur hetimi për dekonspirim pasi operacioni që u ndërmor mbrëmjen e djeshme rezultoi pa sukses. Jaeld Çelën, Sokol Boden dhe Gjergj Kohilën dyshohet se janë përfshirë në trafikun e kanabisit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka firmosur urdhër-arrestet për 3 ish-drejtues të Policisë së Vlorës, pasi dyshohet se janë të përfshirë në çështjen “Habilaj”, për të cilën është nën hetim edhe Saimir Tahiri.

Gjatë hetimeve të dosjes “Habilaj” tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë dyshohet se me mosveprimet e tyre kanë lejuar vëllezërit Habilaj të kultivojnë kanabis sativa.

Ndërsa ka dyshime edhe për favorizimin e tyre në trafikimin e sasive të konsiderueshme të drogës në drejtim të Italisë.

Për një prej këtyre drejtuesve, Sokol Boden, ish-shefi i Postës në Dhërmi dhe ish-shef i Kufirit në Drejtorinë e Vlorës, për të cilin opozita ka publikuar edhe fotografi të tij me vëllezërit Habilaj, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë se “arrestit me burg”.

Ndërsa për Jaeld Çelën, ish-drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës dhe Gjergj Kohilën, ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, në të njëjtën drejtori vendore, janë nxjerrë urdhra ndalimi.

Burime nga Prokuroria thanë se akuza që rëndon mbi këta ish-zyrtarë nga Policia është ajo e mosveprimit ndaj kultivimit të kanabisit në Qarkun e Vlorës. Të tre ishdrejtuesit e Policisë së Vlorës kanë shërbyer atje gjatë viteve 2014 – 2016. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për arrestimin e tyre nga Policia.

VERIFIKIMET

Të tre ish-drejtuesit e Policisë, për të cilët tashmë Prokuroria ka lëshuar urdhrat e arrestimit, janë transferuar nga detyra në fund të muajit prill të këtij viti, kur në krye të Ministrisë së Brendshme u emërua ministri aktual, Fatmir Xhafaj, shkruan panorama.

Njëri prej tyre, Sokol Bode, ndaj të cilit ka dhe një masë sigurimi “arrest me burg”, lëshuar paraditen e djeshme nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ishte transferuar në Shkodër që në fillim të muajit prill.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat