Implikimi i drejtuesve të policië në trafikun e drogës, Basha: Vepronin me bekimin e Ramës

Shqipëria

Implikimi i drejtuesve të policië në trafikun e drogës, Basha: Vepronin me bekimin e Ramës

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 14:55
Lulzim Basha

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në vend që kanë të bëjnë pikërisht me atë se çfarë po ndodhë në radhët e policisë së shtetit.

Lëshimi i tre urdhër arresteve për drejtuesit e lartë të policisë së Vlorës për Bashën tregon edhe njëherë faktin që krimi ka qenë i lidhur ngushtë me policinë. Basha tha për mediat se ka qenë vetë Edi Rama ai që për tre vite rresht u ka dhënë bekimin punonjësve të policisë të mbështesnin trafikun e lëndëve narkotike në vend.

“Ngjarjet e 24 oreve te fundit treguan qartë për të gjithë botën se Policia ka funksionuar si një organizatë kriminale e strukturuar, me hierarki të përcaktuar, nga koka e saj Saimir Tahiri tek drejtorët e policisë së rretheve dhe shefat e anti-drogës e të terrenit. Edi Rama ka lejuar dhe bekuar me vetëdije të gjithë aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës dhe të kriminalizimit të plotë të policisë. Me autoritetin e kryeministrit ai ka ofruar mbështetjen e pushtetit për këtë aktivitet kriminal duke e kthyer Shqipërinë në zonë të lirë për krimin. Për tre vite me rradhë, Edi Rama ndërmori një fushatë masive gënjeshtrash dhe manipulimi të opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar për të mbuluar të vërtetën e krimit dhe për t’i dhënë krimit gjithë qetësinë dhe hapësirën e nevojshme për të lulëzuar. E gjithë kjo organizatë shtetërore kriminale, bandat që ajo kontrollonte dhe paratë e drogës u përdorën nga Edi Rama për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe ruajtjen e pushtetit të tij”, tha kreu i opozitës.

Basha foli hapur edhe për strategjinë që ka opozita në luftën kundër krimit të organizuar dhe në rrëzimin e Ramës nga pushteti.

“Krimi i organizuar është sot një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare të Shqipërisë, si dhe rrezikon të sjellë destabilizimin e thellë politik, shoqëror dhe ekonomik të vendit. Lufta kundër krimit, duke filluar nga dekriminalizimi dhe pastrimi total i qeverisë, policisë dhe i gjithë strukturave të shtetit nga kriminelët dhe individët e kriminalizuar, është sot prioriteti kryesor kombëtar. Hapi i parë është largimi i Edi Ramës nga drejtimi i vendit. Cdo ditë që kalon konfirmon se ai është pengesa kryesore për drejtësinë dhe luftën kundër krimit në Shqipëri. Qëllimi i tij i vetëm sot është mbajtja e pushtetit me çdo kusht. Elementi i dytë është kapja e sistemit të drejtësisë, veçanërisht e organeve të hetimit dhe të prokurorisë, me qëllimin për të garantuar se nën kontrollin e Ramës këto organe nuk do të nxjerrin para drejtësisë kokat e mëdha të krimit dhe do të mbyllin të gjitha hetimet që rrezikojnë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Agron Xhafajn, Habilajt, grupin e heroinës së Elbasanit, e dhjetëra raste të tjera. Elementi i tretë, është manipulimi i opinionit publik vendas dhe të huaj me të njëjtën metodë që ai arriti të mbulojë dhe fshehë trafikun masiv të drogës drogës dhe krimin në Shqipëri për katër vite", tha kreu i PD-së. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat