Ballafaqimi te “Shullazi”/ Dëshmitari dhe ish-truproja dhanë dëshmi të ndryshme

Shqipëria

Ballafaqimi te “Shullazi”/ Dëshmitari dhe ish-truproja dhanë dëshmi të ndryshme

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 15:57
Emilajno Shullazi

Ditën e djeshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është zhvilluar seanca e radhës për grupin e Shullazit.

Gjykata ka pranuar kërkesën e mbrojtjes që të ketë një ballafaqim në sallën e gjyqit mes biznesmenit Ylvi Beqja dhe ish-truprojës së tij, shtetasit R.T. Gjithashtu, do të ketë ballafaqim edhe me noteren që kaloi procedurat për pronësinë e ish-hotel “Vollgës”.

Kërkesa ka ardhur pas seancave të tëra me dëshmitarë, të cilat kanë sjellë dëshmi kontradiktore, krahasuar me ato të dhëna në Prokurori. Kështu, dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja, ka thënë më herët se ai është kërcënuar nga Emiljano Shullazi për çështjen e ish-hotel “Vollgës”.

Nga ana tjetër, dëshmia e ish-truprojës së tij, R.T., tregon të kundërtën. Sipas tij, Beqja nuk i ka shprehur kurrë asnjë shqetësim për sa i përket Shullazit apo Gilmando Danit. Për këtë arsye, gjyqtari Fran Prendi vendosi që ky ballafaqim të bëhet.

DËSHMIA E BEQES

Ylvi Beqja, dëshmitari i mbrojtur, ka qenë edhe më parë në gjyq për këtë proces. Ai ka pasur një përballje me vetë Emiljano Shullazin, të cilin e akuzon se e ka kërcënuar. Sipas dëshmisë dhënë në korrik të këtij viti, Beqja kujton se si kanë filluar kërcënimet.

“Kërcënimet kanë filluar kur ka nisur regjistrimi i ish-hotel ‘Vollgës’. Emiljano Shullazi më ka kërkuar para kur shkuam te noterja. Më tha që t’ia jepja të gjitha paratë dhe 30 % të ish-hotel ‘Vollgës’. Më ka kapur me dorë nga qafa dhe më ka tërhequr drejt një ngushtice pallati.

Aty më ka vënë një pistoletë në bark. Më tha që t’ia kaloja pronën se ai ia hidhte edhe më të mirit”, ka thënë Ylvi Beqja në seancën gjyqësore ku ka pasur edhe një debat verbal me Emiljano Shullazin.

Ky i fundit e ka pyetur rreptë për armën, nëse ishte i sigurt që ajo ishte armë e vërtetë. Por Beqja ka insistuar duke mos u tërhequr se është kërcënuar nga Emiljano Shullazi.

Beqja ka treguar se fillimisht i ka dhënë Emiljano Shullazit 80 mijë euro dhe pas disa ditësh i ka dhënë edhe një shumë prej 50 mijë eurosh. Ai ka pasur dëshmitar të kërcënimit edhe shoferin e tij, B. Musain, i cili do të jetë prezent në gjyq në ditën e ballafaqimit të Beqjës me ish-truprojën e tij, shtetasin R.T.

DËSHMIA E ISH-TRUPROJËS

Ish-truproja i Ylvi Beqajt, shtetasi R.T., ka dëshmuar në gjyqin ndaj Shullazit më datë 2 tetor të këtij viti. Ndryshe nga punëdhënësi i tij, R.T. ka përshkruar një panoramë tjetër të marrëdhënieve mes biznesmenit dhe të akuzuarve.

Ai ka thënë se me Beqen njihej që nga viti 1999 dhe ishte njeri i besuar i tij. R.T. ka thënë se Beqja ishte shumë entuziast për miqësinë me Gilmando Danin dhe Emiljano Shullazin. Sipas tij, Beqja i shprehte gjithmonë besim se ata të dy do ta ndihmonin që të merrte ish-hotel “Vollgën”.

“Nuk ka pasur asnjë konflikt. Madje, ai tregohej shumë entuziast kur takohej me Gilmando Danin dhe Emiljano Shullazin. Më thoshte se këta janë njerëzit që do na rrinë pranë, do të na ndihmojnë”, tha në gjyq ish-truproja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat