Katër muaj në burg pa faj, Gjykata e Durrësit liron të riun

Shqipëria

Katër muaj në burg pa faj, Gjykata e Durrësit liron të riun

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 13:49
Durrës

Gjykata e Durrësit, ka vendosur dje lirimin e shtetasit Kristian Preçi dhe pushimin e çështjes.  Ai u arrestua në shtëpinë e tij pas një deklarate të një shtetaseje sipas së cilës ai i kishte vjedhur celularin. Preçi arrestohet, dhe madje në procesverbal, megjithëse gjatë kontrollit nuk iu gjet asgjë dhe arrestimi u bë në gjumë, u shënua se ishte kapur në flagrancë.

Emisioni investigativ “Boom” është interesuar për rastin duke nxjerrë në dritë mënyrat se si veprojnë dhe gati bashkëpunojnë hallkat e drejtësisë edhe për raste të tilla flagrante. Prokurori që pranonte se për shkak të vjedhjeve të shumta, bëhen edhe shembuj.

Gjykata që vendoste ta linte në burg, pavarësisht se provat e gishtërinjve kishin rezultuar negative dhe madje telefoni i ishte gjetur dikujt tjetër. Policia që shoqëronte familjarët e verbër të Kristianit, pse kishin protestuar për vendimin karshi tij. I gjithë ky kalvar, i cili vazhdonte prej katër muajsh, mori fund dje me vendimin e Gjykatës së Durrësit që vendosi pushimin e çështjes dhe kthimin e Preçit në liri.

Një e drejtë e kthyer në vend, por pas katër muajsh padrejtësie që normalisht duhet t’i venë në lëvizje gjithë strukturat e drejtësisë në linjë vertikale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat