Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Kryeministrin e Bavarisë në periudhën 1978-1988 Franz Josef Strauss (pas vdekjes)

Shqipëria

Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Kryeministrin e Bavarisë në periudhën 1978-1988 Franz Josef Strauss (pas vdekjes)

Më: 25 nëntor 2017 Në ora: 20:45
Ilir Meta dhuron dekoratën

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta nderoi në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe si shprehje të vullnetit më të sinqertë për të vlerësuar një mik të shqiptarëve, me Dekoratën më të lartë të “Flamurit Kombëtar”. Kryeministrin e Bavarisë në periudhën 1978-1988 Franz Josef Strauss (pas vdekjes) në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje ndaj mbështetjes dhe ndihmës së vyer dhënë popullit shqiptar për të dalë nga izolimi; për kontributin historik në ripërtëritjen dhe forcimin e miqësisë mes popullit shqiptar dhe popullit gjerman.

Presidenti Meta në fjalën e mbajtur me këtë rast në Këln, në kryeqendrën e Landit të North Rhinen-Westphalen, u shpreh se: “Tri vite më parë, kur isha në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë m’u dha mundësia e shkëlqyer që të organizoja një ceremoni modeste në kujtim të 30-vjetorit të vizitës së parë në Shqipërinë komuniste të Kryeministrit bavarez Franc Jozef Shtraus. Sot jam edhe më shumë i gëzuar që në cilësinë e Presidentit të Republikës t’i jap në emër të qytetarëve shqiptarë një vlerësim të posaçëm, këtij personaliteti të madh e të shquar politik jo vetëm për gjermanët, por edhe për shqiptarët.”

“Franc Jozef Shtraus, - theksoi Presidenti - zë një vend të veçantë në memorien tonë kolektive si i vetmi politikan perëndimor që vizitoi Shqipërinë e izoluar komuniste para rënies së Perdes së Hekurt.”

“Sot ne e dimë, se guximi dhe vizioni i Shtrausit për të vizituar Tiranën, shoqërohej me një oportunitet të jashtëzakonshëm, që do të kishte transformuar krejt historinë dhe marrëdhënien tonë me Evropën dhe botën. Sot ne e dimë se autori i librit i ‘Projektit i madh evropian’ kishte largpamësinë për ta parë kufirin e Evropës të shtrirë edhe në Lindje të saj. Pavarësisht këtij stacioni të humbur prej nesh, vizita e Shtrauss në Tiranë padyshim që përbën gurthemelin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të rivendosura ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë.” – nënvizoi Presidenti.

Presidenti Meta tha se Gjermania është konsoliduar tashmë si partner kyç e strategjik për Shqipërinë, por edhe për sigurinë, paqen dhe begatinë për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe se Gjermania është sot shtëpia e shumë shqiptarëve, të cilët janë integruar më së miri, dhe e përfaqësojnë denjësisht imazhin e vendit të tyre.

“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që Gjermania ka dhënë e na jep, për integrimin evropian, për të gjithë atë ndihmë të jashtëzakonshme në ekonomi, infrastrukturë, energji, dhe në të gjithë sektorët e tjerë jetikë për një zhvillim të qëndrueshëm social dhe ekonomik dhe për një arsimim profesional, veçanërisht për rininë tonë” – theksoi Presidenti.

Presidenti i Republikës e mbylli fjalën e Tij  me urimin: “Për një miqësi më të gjatë, edhe për shumë vite!”, duke ia dorëzuar dekoratën e lartë së bijës së politikanit dhe udhëheqësit gjerman Franc Jozef Shtraus, zonjës Monika Holhmeier, eurodeputete dhe anëtare e Grupit të Miqve të Shqipërisë në Parlamentin Evropian.

Zonja Holhmeier e falënderoi Presidentin Meta përzemërsisht, edhe në emër të babait të saj të tjerë, në gjurmët e të cili po vazhdon edhe ajo vetë si eurodeputete duke forcuar miqësinë gjermano-shqiptare si dhe duke përkrahur në mënyrë të palëkundur integrimin evropian të Shqipërisë.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta

I nderuar Ministër Lluka

Zotërinj Kryetarë të Bashkive,

Zonja dhe Zotërinj,

E dashur zonja Holhmeier,

3 vite më parë, kur isha në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë m’u dha mundësia e shkëlqyer që të organizoja një ceremoni modeste në kujtim të 30-vjetorit të vizitës së parë në Shqipërinë komuniste të Kryeministrit bavarez Franz Josef Straus.

Sot jam edhe më shumë i gëzuar që në cilësinë e Presidentit të Republikës t’i jap në emër të qytetarëve shqiptarë një vlerësim të posaçëm, këtij personaliteti të madh e të shquar politik jo vetëm për gjermanët por edhe për shqiptarët.

Franz Josef Straus zë një vend të veçantë në memorien tonë kolektive si i vetmi politikan perëndimor që vizitoi Shqipërinë e izoluar komuniste para rënies së Perdes së hekurt.

Kjo vizitë ngjalli shumë shpresë në rrethin e atyre që kuptonin atipizmin e saj për rrethanat e kohës. Dhe sot, ende flasim për ndryshimet epokale që do të kishte sjelle, nëse do të ishte kuptuar si duhej mesazhi që ai përcolli në Tiranën zyrtare.

Sot ne e dimë, se guximi dhe vizioni i Shtrausit për të vizituar Tiranën, shoqërohej me një oportunitet të jashtëzakonshëm, që do të kishte transformuar krejt historinë dhe marrëdhënien tonë me Europën dhe botën.

Sot ne e dimë se autori i librit “Projekti i Madh” europian kishte vizionin largpamës për ta parë kufirin e Europës të shtrirë edhe në Lindje të saj.

Pavarësisht këtij stacioni të humbur prej nesh, vizita e Shtraus në Tiranë padyshim që përbën gurthemelin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të rivendosura ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Ndaj kjo ceremoni, në 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, është shprehje e vullnetit më të sinqertë jo vetëm për të vlerësuar një mik të shqiptarëve, por edhe për të rikonfirmuar perspektivën e shkëlqyer të marrëdhënieve që kanë vendosur dy vendet tona.

Gjermania është konsoliduar tashmë si partner kyç e strategjik për Shqipërinë por edhe për sigurinë, paqen dhe begatinë për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Gjermania është sot shtëpia e shumë shqiptarëve, të cilët janë integruar më së miri, dhe e përfaqësojnë denjësisht imazhin e vendit të tyre.

Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që Gjermania ka dhënë e na jep, për integrimin evropian, për të gjithë atë ndihmë të jashtëzakonshme në ekonomi, infrastrukturë, energji, dhe në të gjithë sektorët e tjerë jetikë për një zhvillim të qëndrueshëm social dhe ekonomik dhe për një arsimim profesional, veçanërisht për rininë tonë.

Presidenti Steinmeier më siguroi gjatë vizitës që zhvillova në Berlin se marrëdhëniet me Shqipërinë do të vazhdojnë të jenë të një rëndësie të veçantë për Gjermaninë, si marrëdhënie tepër të rëndësishme për të gjithë stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit tonë.

Ne jemi me fat që kemi rreth vetes miq të mirë e të çmuar, dhe simbol i kësaj miqësie gjermano-shqiptare është edhe familja Shtraus. Jam veçanërisht i prekur, që vajza e mikut Shtraus, Monika, që na nderon sot me prezencën e saj, është anëtare e Grupit të Miqve të Shqipërisë në Parlamentin Europian.

Jam i sigurt në përpjekjen e sinqertë të saj për të hapur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke iu afruar gjithnjë e më shumë vizionit të babait të saj, për ta parë edhe rajonin tonë brenda familjes europiane.

Duke ju falënderuar edhe një herë për prezencën, dëshiroj ta mbyll me urimin që e kishte për zemër Josef Straus: “Për një miqësi më të gjatë, edhe për shumë vite”.

Pagëzuesit të kësaj miqësie kam kënaqësinë dhe nderin t’i akordoj sot Dekoratën më të lartë të “Flamurit Kombëtar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat