Ristani: “Peshqit e mëdhenj’ kapen në janar - Bota Sot
Ristani: “Peshqit e mëdhenj’ kapen në janar

Shqipëria

E enjte, 14 dhjetor 2017

Ristani: “Peshqit e mëdhenj’ kapen në janar

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 11:27
Arben Ristani

Arben Ristani, sekretar i përgjithshëm i PD-së denoncon ashpër situatën e kriminalitetit në vend dhe lidhjet me pushtetin, ndërsa PD-së i kërkon një luftë pa kompromis ndaj krimit dhe drogës.

Ristani flet për “Gazeta Shqiptare” për çështjen “Tahiri”, provat që e implikojnë atë me krimin dhe pse “peshqit e mëdhenj” nuk kapen tani, por në janar siç thotë ambasadori Lu. Zyrtari i lartë i PD-së ndalet në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, paligjshmërinë e PS-së për të larguar Zgurin nga KQZ, protestat e opozitës dhe bashkëpunimin me LSI.

Z.Ristani, si e vlerësoni situatën e rendit në vend dhe çfarë strategjie do të ndjekë PD-ja për të shkëputur lidhjet e krimit me politikën?

Kryeministri, z.Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 me një projekt të qartë politik, i cili kishte në thelb kriminalizimin e të gjitha institucioneve të vendit, pra kriminalizimin e shtetit. Nëpërmjet këtij plani, ai qartazi synonte të garantonte pushtetin e tij personal dhe atrofizimin e kundërshtisë që do vinte nga populli, opozita, media, apo zëra publikë të pavarur. U kriminalizua parlamenti, bashkitë, Policia e Shtetit dhe segmente të rëndësishme të administratës publike. Shembujt për ta vërtetuar këtë janë të shumtë dhe kushdo e ka të qartë e të plotë tablonë kriminale.

Krimi lulëzoi në të gjithë vendin. E gjithë Shqipëria u kanabizua, për herë të parë u shfaqën laboratorë të mëdhenj dhe të sofistikuarit të përpunimit të kokainës. Grupet kriminale, të favorizuara nga kriminalizimi i shtetit arritën të ngrenë flota me avionë, pista aviacioni për flotën e avionëve të transportit të drogës, flota me skafe dhe anije, me makina e kamionë që transportonin tonelata me drogë drejt Europës. Në fakt, flotat kriminale përveç drogës transportonin edhe armë për të favorizuar terrorizmin. 

Kriminelët që vuanin dënimet në burgje filluan të lirohen njëri pas tjetrit. Aktualisht ka qytete të rëndësishme të vendit, që kontrollohen tërësisht nga grupet kriminale. PD e ka pasur të qartë që në fillimet e këtij pushteti, trajektoren kriminale që po ndiqte kryeministri dhe e ka denoncuar atë që në ditët e para të opozitës dhe në vazhdim, pa pushim, me vendosmëri dhe pa u tërhequr para çdo vështirësie. Bojkotuam parlamentin për 6 muaj deri sa imponuam miratimin e një ligji antikriminalizim. Ngritëm komisione parlamentare dhe zhvilluam interpelanca me kryeministrin pikërisht për çështjet e kriminalizimit, sidomos të Policisë së Shtetit. Denoncuam pa reshtur në qindra konferenca shtypi gjendjen e kriminalitetit në vend, zhvilluam protesta me pjesëmarrje masive të niveleve historike, madje edhe me muaj të tërë pa ndërprerje, për të ndërgjegjësuar opinionin publik brenda dhe jashtë Shqipërisë për katastrofën kriminale ku po e zhyste vendin z.Rama dhe bashkëpunëtorët e tij. Aktualisht jemi në një nivel ku ndërgjegjësimi në Shqipëri dhe tek partnerët tanë ndërkombëtarë për kriminalitetin dhe pasojat e tmerrshme të tij është rritur ndjeshëm dhe ka filluar të japë rezultatet e para të dukshme. Ish- ministri i Brendshëm është nën hetim për lidhjet e tij me trafikun e drogës dhe grupet kriminale, disa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë larguar nga sytë këmbët për t’iu fshehur drejtësisë, disa banditë janë kapur nga drejtësia dhe ky është vetëm fillimi i rezultateve pozitive në këtë drejtim. PD dhe opozita në tërësi si institucion dhe mënyrë të menduari dhe vepruari janë të bindur dhe të vendosur që strategjia e vetme për të fituar ndaj krimit dhe kriminelëve është një e vetme: lufta pa kompromis, e vazhdueshme dhe pa u lodhur në bashkëpunim me të gjithë pjesën e ndërgjegjshme dhe aktive të njerëzve brenda dhe jashtë vendit, derisa Shqipëria të shpëtojë nga kjo mynxyrë ku e futi “rilindja” dhe z.Rama.

Ka të drejtë ambasadori Lu kur flet për ekzistencën e 4 grupeve kriminale dhe 20 familjeve kriminale në Shqipëri, ndërkohë që në janar ka kërkuar arrestimin e “peshqve të mëdhenj”? Përse s’mund të arrestohen para janarit?

Sigurisht që ambasadori Lu, por jo vetëm ai, ka dhe kanë shumë të drejtë kur përmendin ekzistencën e grupeve dhe familjeve, tashmë të njohura kriminale në Shqipëri. Partnerët tanë ndërkombëtarë, pikërisht se janë bindur për ekzistencën e tyre dhe pasojat shumë të rënda që po sjell krimi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën po mbështesin fuqishëm drejtësinë dhe projektet antikrim të drejtësisë.
Duke përdorur simbolikën e peshkut, do thosha se partnerët ndërkombëtarë dhe drejtësia e dinë mirë se “rrjeta” për të kapur “peshqit e mëdhenj” është e shpartalluar dhe do kohë dhe punë të riparohet e forcohet, që të mund t’i mbajë brenda “peshqit e mëdhenj”. Ambasadori, mesa duket ka llogaritur që ata që po merren me përgatitjen e “rrjetës”, e mbarojnë punën diku nga fundi i këtij viti dhe në fillim të vitit tjetër “peshqit” që ndotin ujërat e Shqipërisë do mund të kapen.

Cili është gjykimi juaj për çështjen “Tahiri”, rrjedhën e ngjarjeve dhe provat e deritanishme që e implikojnë atë me krimin deri tek patentat…? PD-ja këmbëngul sërish në arrestimin e Tahirit, por si mund të ndodhë një gjë e tillë?

Çështja “Tahiri” në fakt është një çështje e paralajmëruar nga Partia Demokratike kohë përpara dhe në mënyrë të përsëritur me dhjetëra e dhjetëra herë. Për mendimin tim, provat e sistemit të kontrollit në pikat kufitare për lëvizjet e z.Tahirit dhe makinës së tij të famshme tashmë, dëshmia e z.Zagani dhe e të tjerëve nga radhët e Policisë së Shtetit, përgjimet e drejtësisë italiane, por edhe prova të tjera që po publikohen çdo ditë janë mëse të mjaftueshme për marrjen e masave të sigurisë të nivelit maksimal, në mënyrë që të garantohet, sidomos, moszhdukja apo manipulimi i provave të pagarantuara ende me procedurë ligjore. Kam pasur fatin të drejtoj vetë komisionin parlamentar për hetimin e lëvizjeve në Policinë e Shtetit, pasi z.Tahiri mori detyrën e ministrit të Brendshëm. Ai komision denoncoi dhe paralajmëroi qartë zhbërjen e Policisë së Shtetit dhe kapjen e saj prej krimit të organizuar. Kam zhvilluar gjithashtu në atë kohë një interpelancë me kryeministrin, pikërisht për mënyrën dhe procedurën e zhvilluar prej tij dhe z. Tahiri, për zëvendësimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë Shtetit. Nga kjo interpelancë doli qartë antiligjshmëria e veprimit të ministrit dhe kryeministrit dhe u paratha qartë qëllimi, rruga që do ndiqej dhe arroganca me të cilën do veprohej për të vënë Policinë e Shtetit në shërbim të projektit kriminal. Sot jam krenar që partia ime dhe unë kemi qenë në anën e qytetarëve, në anën e interesit të vendit, ndërkohë që jemi goditur dhe sulmuar nga kundërshtarët.

Cili është gjykimi juaj për punën e prokurorisë në raport me luftën kundër krimit dhe drogës?

Projekti kriminal i z.Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij nuk mund të linte pa shtrirë tentakulat e tij edhe në Prokurorinë shqiptare, si në çdo institucion tjetër me akses në luftën kundër krimit.

Nuk është e rastit që goditjet e saj kundër “peshqve të mëdhenj”, si kanë dëshirë t’i quajnë tani, prokuroria filloi t’i realizonte së fundmi, kur qelbi filloi të shpërthente se plaga ishte mavijosur sa s’mbante më. Nuk është e rastit që goditja e këtyre “peshqve” filloi pasi partnerët tanë ndërkombëtarë nxorën dosjet e tyre të hetimit. Kjo tregon që prokuroria dhe drejtësia shqiptare në përgjithësi i ka pasur duart e lidhura nga drejtuesit e projektit të madh kriminal që po mbyt Shqipërinë. Prandaj mbështetja ndaj prokurorisë, mbështetja ndaj drejtësisë kudo ku ajo vepron është jetike në këto momente, kur “rrjeta për peshqit” e krimit po riparohet e po bëhet gati.

Si do e ndalojë PD-ja zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm, siç sugjeron EURALIUS dhe OPDAT?

PD nuk ka shpikje për të bërë. PD ka vetëm një mënyrë të menduari dhe të vepruari, zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Partia Demokratike, si në çdo rast tjetër, edhe për rastin konkret do mbajë qëndrim pro Kushtetutës dhe zgjidhjeve që jep ajo.
PS-ja ka ndërmarrë nismë konkrete për largimin e Klement Zgurit nga kreu i KQZ por a ka bazë ligjore..?

Edhe ky rast, si të gjitha veprimet e “Rilindjes”, tregon qartë shkelmin që i kanë dhënë dhe po i japin sistemit ligjor. Kodi Zgjedhor është baza juridike që përcakton se në cilat raste dhe mbi cilën procedurë veprohet për të shkarkuar dhe emëruar kryetarin e KQZ-së. Të dhënat që janë bërë publike deri tani tregojnë se “Rilindja” s’ka të bëjë me ligjin, por vepron në gjendje natyrore, si në pyll.

PD ka paralajmëruar protesta deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti. Kur do të fillojnë këto protesta?

Protestat janë një mënyrë të reaguari e popullit, kur të gjitha rrugët e tjera institucionale shterojnë. Protestat vijnë natyrshëm kur revolta popullore ndaj padrejtësive qeveritare arrin në pikën e vlimit. Është kjo arsyeja që planet në këtë rast nuk mund të jenë me data ekzakte. PD-së si opozita e këtij vendi, i duhet t’i ndjekë me kujdes zhvillimet, të qëndrojë sa më pranë njerëzve dhe halleve të tyre dhe të jetë gati të udhëheqë zemërimin popullor kur temperatura të jetë aq e nxehtë sa duhet.

Një qeveri që e ndjekin skandalet, sidomos ato që kanë të bëjnë me krimin, a besoni se mund të rrëzohet me mjete demokratike, apo PD do të presë që ndërrimi i pushtetit të vijë përmes zgjedhjeve?

Pyetje me vend. Është e vërtetë që mjetet demokratike e kanë shumë të vështirë që të përballen me krimin kur ai ka kapur shtetin. Zgjedhjet e fundit parlamentare, por edhe ato të pjesshme vendore si rasti i Dibrës, treguan qartë deformimin e vullnetit popullor për shkak të forcës dhe mundësive të krimit në pushtet. Për fat dhe për shkak të punës së palodhur të opozitës, opinioni publik po ndërgjegjësohet dita-ditës për gjendjen e rëndë që po kalon vendi. Nga ana tjetër, edhe opinioni ndërkombëtar e di mirë sot se me kë ka të bëjë në qeverisjen e Shqipërisë. Mjaft të përmend këtu se raporti i OSBE-ODHIR për zgjedhjet e fundit parlamentare ka identifikuar përdorimin e parave të krimit për të blerë votën dhe përdorimin e kriminelëve për të deformuar vullnetin e zgjedhësve. Megjithatë, PD mbetet besimplotë se bashkëveprimi i të gjitha forcave demokratike brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe besimi i patundur i shqiptarëve te demokracia dhe mundësitë e saj si sistem do jenë përgjigja e duhur ndaj situatës që është krijuar.

Bashkëpunimi me LSI-në, a po e zbeh aksionin e opozitës kundër qeverisë?

LSI sot është një parti opozitare dhe për sa kohë ajo orientohet dhe punon për të rrëzuar z.Rama dhe pushtetin e tij të lidhur me krimin, bashkëpunimi apo bashkërendimi i forcave dhe mundësive opozitare është nevojë dhe detyrë e PD-së, si forca më e madhe dhe udhëheqëse e opozitës shqiptare.

Si po ecën procesi i analizës së humbjes së PD-së dhe a do të ketë “koka turku” pas mbylljes së tij?

PD pas çdo procesi zgjedhor e ka praktikë të konsoliduar pune që të zhvillojë analizë për gjendjen e strukturave të saj, për shkaqet, kushtet dhe fenomenet që ndikuan dhe prodhuan rezultatet zgjedhore. Për më tepër, këtë herë procesi është fokusuar te konsultimi me bazën e PD për mënyrën se si PD do të përballë kushtet jo normale dhe ekstraligjore të krijuara nga pushteti. Për t’u përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë, mund t’ju them se procesi i konsultim- analizës që po përmbyllet me strukturat e PD, nuk po kërkon “koka turku” dhe nuk do prodhojë të tilla, por synon forcimin e PD-së për t’ju përgjigjur sfidave të kohës.

PD nuk mundi të dokumentojë shitblerjen e votës me 25 qershor, por çfarë strategjie do të ndiqet për rikthimin e 300 mijë demokratëve që refuzuan PD-në?

Shitblerja e votës dhe ndikimi i parave të krimit dhe kriminelëve në zgjedhjet e fundit parlamentare është plotësisht i provuar, mjaft t’i referohesh raportit të OSBE-ODHIR. Për më tepër, çdo gjë është e provuar dhe e dokumentuar nga puna e strukturave të PD-së dhe ish-ministrave të saj, në kohën që ata ushtruan detyrën e tyre, pas marrëveshjes parazgjedhore. Sidoqoftë, PD është e ndërgjegjshme për sfidën e madhe që ka përpara, për të gjetur formën dhe mënyrat efikase për t’u përballur me pushtetin antipopullor të z.Rama dhe për të rritur besimin e publikut tek mundësitë dhe kapacitetet e saj qeverisëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test