Pamje tmerruese: Vjosa del nga shtrati, banorët nuk duan të lënë shtëpitë

Shqipëria

Pamje tmerruese: Vjosa del nga shtrati, banorët nuk duan të lënë shtëpitë

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 08:07
Pamje nga video

(E plotësuar) - Edhe pse janë evakuuar nga banesat e tyre, banorët e fshatrave që janë përmbytur nga Vjosa nuk kanë dashur të lënë shtëpitë.

Pasuritë dhe investimet kanë bërë që ata të mos largohen. Fakti se dëmshpërblimet nuk mund të vijnë kurrë kanë bërë që banorët të shprehen se nuk duan të ikin.

Kështu ka ndodhur edhe në një banesë, ku kryefamiljari nuk ka pranuar të largohet duke u shprehur se “tani ishin mësuar me Vjosën”.

Dialogu me kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashi:

Subashi: Ça ke ti, do makinë, të sjellim makinë, edhe ambulancë po deshe.

Gruaja: Ka frikë!

Subashi: Nata do jetë e vështirë, do ketë shumë ujë.

Banori: Opo me Vjosën jemi mësuar ne, nuk e kemi problem, po …

Gruaja: Po je mësuar më përpara ti, po tani nuk zbret dot shkallët, po hë…

Rëndohet situata e përmbytjeve në Vlorë. Lumi i Vjosës ka dalë nga shtrati në orët e para të mëngjesit të sotëm, 2 dhjetor 2017, duke shkaktuar përmbytje masive.

Prurjet e shumta të lumit kanë çarë argjinaturën në Mifol dhe Bishan dhe niveli i ujit është 20 cm më i lartë se në 2015.

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë rritur nivelin e prurjeve në lumin Vjosë duke bërë që ai të dalë nga shtrati, duke kaluar kështu të gjithë parashikimet.

Forcat e Armatosura kanë qenë në gatishmëri gjatë gjithë natës për evakuimin e njerëzve. Prefekti i Vlorës bëri me dije se janë evakuuar 36 familje nga fshati Fitore.

“Janë dërguar të gjitha forcat në terren. Prurjet në lumin Vjosa rriten 10 cm në orë”.

Efektivët e ushtrisë kanë bërë gjithashtu evakuimin e 4 familjeve me 20 persona në fshatin Ferras të Fierit. Po kështu janë zhvendosur nga zona e rrezikut dhe 15 bagëti të imëta.

Në operacionin e shpëtimit u angazhuan 450 forca të FA-së.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave ditën e sotme priten reshje shumë intensive në pjesën jugore të vendit. Instituti i Gjeoshkencave kishte parashikuar mundësinë e përmbytjes në basenin e lumit Vjosa.

Po sipas IGJEUM, përmbytjet në pjesët fushore të qarqeve Vlorë dhe Fier do të ndodhin në pjesën e parë të ditës së sotme.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit parashikon se edhe Semani dhe Shkumbini mund të shkaktojnë përmbytje.

***

Si pasojë e reshjeve të dendura të rënë gjatë gjithë natës, situata është përkeqësuar në jug të Shqipërisë.

Bëhet me dije se disa lumenj kanë dalë nga shtrati, duke sjellë përmbytje të mëdha.

Në Vlorë situata vijon të rëndohet në orët e para të mëngjesit, ku si pasojë e reshjeve të dendura gjatë natës ka rritur nivelin e ujit në lumin Vjosa.
 
Si pasojë, lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje masive në zonat përreth. Fillimisht janë çarë argjinaturat në Mifol dhe Bishan, duke bërë të mundur që uji të vërshojë në fshatrat Novoselë, Mifol, Fitore e fshatra përreth tyre.

Janë evakuuar 20 persona në orët e para të mëngjesit nga Forcat e Armatosura në fshatin Ferras dhe Mifol.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat