Bashkitë më të mira/Ministria e Financave nxjerr të parat bashkitë që drejtohen nga të djathtët

Shqipëria

Bashkitë më të mira/Ministria e Financave nxjerr të parat bashkitë që drejtohen nga të djathtët

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 11:13
Ahmetaj

Ministria e Financave ka vlerësuar bashkitë në vend në lidhje me menaxhimin financiar, i cili u bazua në 15 kritere që masin këtë performancë, ku çdo kriter ka 30 pikë.

Vlerësimi është bërë në bazë të treguesve financiarë të vitit 2016.

Kriteret e vlerësimit ishin: Dërgimi në kohë i faturave për pagesë në degën e thesarit; Numri i kontratave të anuluara gjatë vitit buxhetor; Numri i urdhër-shpenzimeve të refuzuara nga Thesari; Dorëzimi në kohë i kontratave në Thesar; Urdhër-prokurimet e paautorizuara; Mjedisi i kontrollit; Menaxhimi i Riskut; Aktivitetet e kontrollit; Informimi dhe komunikimi; Monitorimi; Përgatitja e audituesve të brendshëm; Raportimi në kohë i Audituesve; Monitorimi i pyetësorit të vetëvlerësimit të audituesve të brendshëm; Cilësia e raportimit të audituesve të brendshëm: Pozicione aktuale të auditimit të brendshëm të paplotësuara.

Raporti përmbledhës i Financave tregon se nga një vlerësim 0-450 pikë, Bashkia e Kamzës mori vlerësimin më të lartë me 440 pikë. “Në bazë të analizës së indikatorëve, Bashkia e Kamzës është vlerësuar me 440 pikë nga 450 pikë maksimale të mundshme, duke treguar për një performancë të shkëlqyer të kësaj bashkie dhe e renditur në vendin e pare”, thuhet në raportin e financave, shkruan revista “Monitor”.

E dyta është Bashkia e Shkodrës (430 pikë), e ndjekur nga ajo e Patosit (425), e Vorës (415), më pas vijnë Durrësi (405 pikë), Elbasani (400 pikë), Memaliaj (395 pikë).

Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend, u rendit e 8-ta në radhën e bashkive për sa i përket pikësimit për treguesit e performances, me 391 pikë. Bashkia e kryeqytetit e ka vlerësimin më të ulët në treguesin e menaxhimit të riskut, me 10 pikë, nga 30 që është vlerësimi maksimal dhe aktivitetet e kontrollit me 20 pikë (shiko tabelën në vijim për vlerësimin e të gjithë kritereve të Bashkisë së kryeqytetit), ndërsa në treguesit e tjerë ka marrë përgjithësisht vlerësimin maksimal me 30 pikë.

Image

Financat theksojnë se gjendja e sistemeve të kontrollit të brendshëm të Bashkisë Tiranë paraqitet në nivele të kënaqshme, duke theksuar gjithashtu dhe nevojën për marrjen e masave, kryesisht, në kuadër të përmirësimit të komponentit të Menaxhimit të riskut, i cili ka marrë vlerësim shumë të ulët në krahasim me të tjerët.

Në renditjen që kanë bërë financat vetëm për Bashkitë e mëdha kryeson Shkodra, e ndjekur nga Durrësi, Korça, Elbasani dhe më pas renditet Tirana. Pas kryeqytetit vijnë Berati, Fieri, Vlora, Gjirokastra.

Bashkitë e mëdha që janë edhe qendra të prefekturave, si ajo e Durrësit, Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Kukësit kanë pësuar ulje të performancës më 2016 në raport me 2015, thekson raporti. Bashkitë që kanë arritur përmirësim janë Shkodra, Korça, Elbasani, Fieri dhe Berati.

Bashkia e Shijakut dhe ajo e Tropojës morën vlerësimin më të ulët të performancës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat