Zhdukja e dosjeve/ Dëshmia e prokurores: Kanë materiale sekrete, hynë në zyrë pa më pyetur

Shqipëria

Zhdukja e dosjeve/ Dëshmia e prokurores: Kanë materiale sekrete, hynë në zyrë pa më pyetur

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 09:54
Ilustrim

“Dosje të rëndësishme me materiale sekrete dhe delikate”. Kështu i ka cilësuar tri dosjet “e zhdukura” nga zyra e saj prokurorja e Task-Forcës kundër korrupsionit në Prokurorinë e Elbasanit, Armanda Xhaferri, gjatë denoncimit të saj në Policinë e këtij qarku.

Ajo iu drejtua Policisë me argumentin se mban përgjegjësi për zhdukjen e këtyre dosjeve, pasi ato përmbajnë materiale sekrete.“Kjo mënyrë veprimi që kanë hyrë në zyrën time, pa praninë time, pa dijeninë time dhe kanë marrë dosjet penale që unë kam pasur në ndjekje penale, nuk është normale. Theksoj se unë si prokurore kam përgjegjësi për materialet e administruara në fashikullin hetimor të çdo dosjeje dhe për më tepër, kur bëhet fjalë për dosje të rëndësishme dhe me materiale sekrete e delikate”, është shprehur prokurorja Xhaferri.

Sipas të dhënave nga burimet e Policisë, 32-vjeçarja nuk ka dhënë detaje për çështjet në hetim dhe është mjaftuar duke thënë se janë zhdukur procedimi penal Nr. 1531 e vitit 2015, rreth 13 volume dhe procedimet me numër 740 e 790 të vitit 2016. E kontaktuar nga “Panorama”, prokurorja Armanda Xhaferri mohoi të komentonte më tej këtë çështje, duke u shprehur se nuk mund të jepte të dhëna për dosje që janë në hetim.

“Dosjet përbëjnë sekret hetimor dhe ne prokurorët e kemi të ndaluar me ligj të bëjmë deklarata për mediat në lidhje me çështjen”, u shpreh dje prokurorja Xhaferri.
Ndërkaq, kallëzimi i saj në polici nxori në pah se Prokuroria e Elbasanit është përfshirë në një konflikt të brendshëm dhe se kjo tashmë mori përmasë pasi vetë prokurorja iu drejtua Policisë.

Ndërkaq, nuk dihet pse prokurorja i është drejtuar Policisë së Elbasanit dhe jo Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me çështjen në fjalë. Konflikti ka nisur pas vendimit të drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, për largimin nga Task-Forca të saj dhe transferimin në një seksion tjetër, me argumentin se nuk kishte kryer asnjë veprim hetimor në këto dosje. Refuzimi i saj ka çuar në përplasjen e tyre dhe dosjet janë tërhequr fizikisht nga zyra e prokurores Xhaferri për në zyrat e prokurorëve që kanë marrë në dorëzim tri çështjet në fjalë.

Nga ana tjetër, edhe institucioni i Prokurorisë së Elbasanit ka mohuar faktin që të ketë humbje të dosjeve, duke theksuar se gjithçka është e pasqyruar me procesverbal. Por Prokuroria e Elbasanit, përveç përplasjes me prokuroren Xhaferri, ka shprehur rezerva edhe për Policinë e Elbasanit, pasi kjo e fundit ia ka referuar çështjen Prokurorisë së Tiranë.

Sipas Prokurorisë, duke iu referuar materialit të Policisë, kjo e fundit nuk ka asnjë kompetencë për të shpallur moskompetencën e një çështjeje dhe t’ia kalojë atë Prokurorisë së Tiranës, siç ka vepruar për rastin në fjalë, pasi një kompetencë të tillë e ka vetë Prokuroria dhe Gjykata.

Por Policia thotë se ia ka referuar çështjen Prokurorisë së Tiranës, sepse në të ishte përfshirë vetë Prokuroria e Elbasanit dhe rrjedhimisht ajo nuk mund të hetonte një denoncim të bërë për institucionin e saj. Çështja është në hetim nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat