Meta: Kjo është një datë historike dhe lavdie për Forcat tona të Armatosura

Shqipëria

Meta: Kjo është një datë historike dhe lavdie për Forcat tona të Armatosura

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 14:25
Meta

Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në festimin përkujtimor të “105-Vjetorit të Krijimit të Forcave të Armatosura”. Në ceremoninë e organizuar në Sheshin “Nënë Tereza”, ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, atashe ushtarakë, drejtorë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ambasadorë dhe atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë.

Me këtë rast u vlerësua me medalje nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm edhe Baza Ajrore e Farkës, e cila shënoi 50-vjetorin e krijimit të saj. Presidenti Meta dhe të pranishmit u takuan me forcat ushtarake shqiptare, të cilat do të nisen me misione në Afganistan dhe Letoni, si dhe vizituan ekspozitën dhe pajisjet ushtarake duke përshëndetur ngrohtësisht me gratë dhe burrat që shërbejnë nën uniformë në kuadër të Forcave të Armatosura shqiptare.

Image

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta:

“E nderuar Ministre e Mbrojtjes, Znj. Xhaçka,

I nderuar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Kollçaku

Shkëlqesi Ambasadorë, të nderuar Gjeneralë dhe Atashe ushtarakë,

Të nderuar ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,

Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!

Dëshiroj të falënderoj Ministren e Mbrojtjes për organizimin e kësaj ceremonie dinjitoze me rastin e 105-Vjetorit të themelimit të Forcave tona të Armatosura.

Kjo është një datë historike dhe lavdie për Forcat tona të Armatosura, ashtu sikurse është një gur i fortë themeli në historinë tonë të shtet-formimit.

Prej disa vitesh ne jemi anëtarë të NATO-s. Në udhëtimin drejt anëtarësimit tonë në Aleancë ne ja dolëm ta transformojmë Shqipërinë nga një vend konsumues në vend kontribuues për paqen dhe sigurinë, veçanërisht në rajon, por jo vetëm.

Kjo arritje na bën krenarë me vlera mbarëkombëtare na bën krenarë e njëkohësisht të përgjegjshëm për sfidat që kemi përpara.

Në këtë përvjetor të shënuar historik ne nderojmë me respektin më të madh të gjithë patriotët që kontribuan për krijimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Shqiptare që nga data e themelimit të saj dhe në mënyrë të veçantë, Heronjtë dhe Dëshmorët e Atdheut, që për pavarësinë, lirinë dhe nderin e flamurit kombëtar kanë bërë sakrificën më sublime, duke dhënë jetën.

Image

Si Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dëshiroj të nënvizoj edhe njëherë konsideratat më të larta për gratë dhe burrat nën uniformë, që gjatë 105 viteve kanë kontribuar apo vazhdojnë të shërbejnë me përkushtim shembullor, sakrifica të panumërta dhe përulësi fisnike për sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e vendit dhe interesat tona kombëtare.

Forcat tona të Armatosura treguan edhe një herë, gjatë situatës së fundit të përmbytjeve në vend, se roli i tyre pranë dhe në shërbim të komuniteteve e qytetarëve, duke garantuar jetën e tyre dhe pronën privatë e publike, është jo vetëm i pazëvendësueshëm por që kërkon respekt, konsideratë, mirënjohje të veçantë dhe kujdes në rritje.

Një mirënjohje të veçantë dëshiroj t’ju përcjell ushtarakëve tanë që aktualisht kontribuojnë krah për krah vendeve aleate, në misionet ndërkombëtare në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Kosove, Bosnje Hercegovinë e kudo.

Një mirënjohje të veçantë kam për të gjithë familjarët tuaj, të ushtarakëve, sakrificat e tyre dhe forcën që ata gjejnë për të përballuar largësinë dhe rreziqet e njerëzve më të dashur.

Sot, dëshiroj të shpreh një mirënjohje dhe falënderim për të gjitha vendet aleate dhe mike e Forcat e tyre të cilat jo vetëm e mbështetën anëtarësimin e Shqipërisë në NATO por ndihmuan dhe mbështetën Forcat tona të Armatosura me shkollim, me ekspertizë dhe pajisje e infrastrukturë ushtarake.

Në këtë datë historike dëshiroj sërish të konfirmoj edhe njëherë mbështetjen time të palëkundur për Forcat e Armatosura dhe të shpreh besimin se përkushtimi dhe sakrificat e tyre do të vlerësohen dhe do të shpërbehen siç e meritojnë.

Image

E nderuar Zonja Ministre,

Zoti Shef i Shtabit të Përgjithshëm, të dashur ushtarakë,

Duke shprehur kënaqësinë për rritjen e buxhetit për vitin 2018, përkushtimin dhe vetëmohimin e treguar nga Forcat e Armatosura në menaxhimin e emergjencave civile, dëshiroj t’ju konfirmoj se çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, modernizimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura, përmbushja e detyrimeve në kuadër të NATO-s, do të kenë gjithmonë mbështetjen time të fuqishme.

Gëzuar 105-Vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!

Lavdi përjetë ushtarakëve tanë që kanë dhanë jetën në emër të Atdheut dhe Flamurit!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat