Rama: Integrimi në BE, forcë shtytëse drejt së ardhmes

Shqipëria

Rama: Integrimi në BE, forcë shtytëse drejt së ardhmes

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 17:08
Kryeministri Rama gjatë forumit të Ballkanit Perëndimor, “Miqtë e Europës”

(E plotësuar) - Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është mjaft i rëndësishëm, si forcë shtytëse drejt së ardhmes, për kryerjen e reformave dhe për ndërtimin e institucioneve, tha sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Samitin për Ballkanin Perëndimor organizuar nga Miqtë e Evropës.

“Në BE pyesin veten se çfarë po ndodh në Ballkan, ndërsa në Ballkan pyetja jonë është çfarë po ndodh në BE. Duket sikur bota është kthyer përmbys. Disa vjet më parë problemi ishte tek ne, ndërkohë që tani problemi mes nesh është se si t’i përgjigjemi pyetjes se çfarë do t’i ndodh rrugëtimit tonë të integrimit evropian. Kjo lidhet me faktin se sot në Ballkan kemi një situatë tërësisht ndryshe në kuptimin e bashkëbisedimit dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin, apo edhe për përpjekjen për tu marrë me çështjet më të vështira të së kaluarës”, tha Rama, duke sjellë si shembull dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

Kryeministri theksoi se “pa BE-në, nuk do të kishim kurrë atë që kemi në Ballkan sa i takon pajtimit, paqes dhe procesit të bashkëpunimit”.

Për Shqipërinë dhe Ballkanin, sipas Ramës, BE është mjaft e rëndësishme si forcë shtytëse drejt së ardhmes dhe integrimi në BE është instrument unik i organizimit të shteteve e shoqërive tona.

Forumi i Ballkanit Perëndimor, Rama: Anëtarësimi në BE s’duhet të kthehet në iluzion

Gjatë forumit të Ballkanit Perëndimor, “Miqtë e Europës”, që është duke u mbajtur në Brukesl, Kryeministri Rama u shpreh se pa ndihmën e Bashkimit Europian, Shqipëria nuk do të mundte të realizonte reformat që po kryhen në vend.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk duhet të kthehet në iluzion. Pa ndihmën e BE nuk do bëheshin dhe reformat që po kryejmë. Reforma në drejtësi, sepse ne duam të jemi pjesë e familjes europiane”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha më tej se pas shumë dekadash konflikte, situata në Ballkan është e re. “Unë shpresoj se shtetet anëtare do të pajtohen me BE. Ne e duam BE-në në formë të mirë, që ne të përfitojmë maksimalisht nga ky sinkronizim formash”.

I pyetur se cila është ëndrra e BE brenda rajonit, Rama u shpreh: “Ëndrra e BE është të jemi pjesë e familjes me rregulla të qarta, ku gjithkush respekton rregullat, shtetin e së drejtës, për të pasur shtet dhe institucione të forta. Kjo ka të bëjë me të qënit pjesë e një familje që përfaqëson vlera unike”, tha Kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat