Mandati i kryeprokurorit, diplomati i huaj: Parlamenti të zbatojë ligjin, ja zgjidhja e vetme

Shqipëria

Mandati i kryeprokurorit, diplomati i huaj: Parlamenti të zbatojë ligjin, ja zgjidhja e vetme

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 20:10
Prokuroria e Përgjithshme

Zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës, me gjasë do të jetë testi i parë që politika shqiptare do të duhet të kalojë në sytë e ndërkombëtarëve, sa i përket zbatimit të reformës në drejtësi. Një burim i lartë diplomatik, tha për News24, se mosveprimi i Parlamentit për zbatimin e ligjeve të reformës në këtë moment, mund të kompromentojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe qëllimin final, që është anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian.

Diplomati është i mendimit se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual përfundon në dhjetor dhe opsioni i vetëm është zgjedhja e një kryeprokurori të përkohshëm. “Kushtetuta dhe Ligji për Prokurorinë nuk i japin Kuvendit të drejtën për të zgjatur mandatin e prokurorit të Përgjithshëm”, theksoi burimi.

“Ka vetëm dy opsione: Opsioni i parë është që prokurori i Përgjithshëm zgjidhet për një mandat 7-vjeçar pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në kushtet kur ky këshill, nuk është ngritur, opsion mbetet zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Opsion të tretë nuk ka. Opsioni i tretë do të ishte mosveprimi i Kuvendit, për të zbatuar ligjin. Shqipëria do të duhet t’i ndjekë në mënyrë të arsyeshme ato që parashikon ligji, në të kundërt gjithçka do të vihej në dyshim. Parlamenti do të duhet të zbatojë ligjin që votoi me konsensus të plotë”.

I pyetur nëse largimi i shefit aktual të organit qendror të akuzës, mund të bëhet shkak për dështimin e disa çështjeve të rëndësishme që janë duke u hetuar, diplomati përgjigjet: “Ju po më pyesni nëse është koha e duhur për të zëvendësuar një zyrtar, i cili sipas ligjit të ri, s’ka asnjë rol në këto hetime? Ajo që mund të them është se mandati përfundon në dhjetor”.

Për të përforcuar mendimin e tij, burimi diplomatik sqaroi se sipas Ligjeve të Reformës, Prokurori i Përgjithshëm nuk ka ndonjë rol në hetimin e çështjeve, pasi kjo është tashmë detyrë e vetë prokurorëve. Burimi tha më tej se kryeprokurori nuk ka më rolin që kishte deri një vit e gjysmë më parë, e në këtë kontekst, në organin e akuzës do të duhet të vendoset kultura e re.

Pyetjes nëse zgjedhja me shumicë të thjeshtë nga Parlamenti e kryeprokurorit të përkohshëm, mund të përbëjë shkak për kapjen e institucionit nga politika dhe mund të zbehë shpresat e prokurorëve të thjeshtë për një organ të pavarur, diplomati iu përgjigj: “Reforma po ecën përpara dhe nuk besoj që kjo shuan shpresat e prokurorëve, kur kryeprokurori i përkohshëm zgjidhet me të njëjtin numër votash sikurse presidenti”.

“Parlamenti do të duhet të zgjedhë një person që do ta marrë përsipër këtë rol. Është një funksion i ligjit dhe ligji duhet të sundojë”. Duke u ndalur te marrëdhëniet e partnerëve me institucionin qendror të akuzës ndër vite, diplomati foli me specifikisht për tri vitet e fundit.

“Gjatë viteve kemi pasur një marrëdhënie komplekse me prokurorët e përgjithshëm. Disa marrëdhënie kanë qenë të hapura dhe të frytshme, disa më formale. Kemi pasur bashkëpunim për shumë çështje, ashtu sikurse kemi pasur mosmarrëveshje për disa të tjera. Tre vitet e fundit kemi pasur bashkëpunim, por edhe shumë mosmarrëveshje dhe kjo ka qenë e pritshme, pasi është një periudhë ndryshimesh të mëdha dhe një nga çështjet më të rëndësishme ka qenë roli i Prokurorit të Përgjithshëm”. Akuzave se ndërkombëtarët po ushtrojnë presion ndaj klasës politike për reformën në drejtësi diplomati iu përgjigj duke thënë se asistenca u ofrua, pasi u kërkua nga vetë qeveria shqiptare.

“Na u kërkua asistencë dhe ne e ofruam, sepse procesi i anëtarësimit në Bashkiomin Europian është kompleks. Këtë mund ta quash ndikim, presion apo asistencë. Varet nga cila anë e shikon. Në kemi një marrëdhënie të gjatë në vazhdim midis partnerëve ndërkombëtarë dhe Shqipërisë. Veprimet apo mosveprimet e Shqipërisë në këtë drejtim ndikojnë në këtë marrëdhënie, ashtu dhe synimin final për tu anëtarësuar në BE”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat