Dorëheqja kolektive e mjekëve në QSUT , reagon kryetari i ZGJIDHJA-s Koço Kokëdhima: “Shëndetësia falas” e Rilindjes ka rënë në koma

Shqipëria

Dorëheqja kolektive e mjekëve në QSUT , reagon kryetari i ZGJIDHJA-s Koço Kokëdhima: “Shëndetësia falas” e Rilindjes ka rënë në koma

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 21:23
Koço Kokëdhima

Kryetari i partisë ZGJIDHJA Koço Kokëdhima ka reaguar pas shkarkimit kolektiv të mjekëvt në QSUT. Kokëdhima u shpreh se “shëndetësia falas” e Rilindjes ka rënë në koma.

Reagimi i Koço Kokëdhimës:

Mjekët e Urgjencës së QSUT-së në Tiranë dhanë sot dorëheqjen kolektive. Në memon e drejtuar autoriteteve ata shprehen se nuk mund të punojnë më në kushte çnjerëzore dhe joprofesionale, ku e ka zhytur shëndetësinë Rilindja e Edi Ramës. Protesta e tyre është e padëgjuar. Gjendja ku ndodhet shëndetësia është vërtetë e jashtëzakonshme. Njerëzit e shëndetësisë, sidomos, prej vitit 2013, punojnë në kushte tepër të vështira. Në krye të spitaleve, pavioneve dhe reparteve, janë vënë profanë, që nuk kanë asnjë lidhje me shëndetësinë, por dinë të bëjnë vetëm tendera, të vjedhin nga supa e spitalit, pastrimi, ilaçet, pajisjet mjekësore deri te aparaturat e shtrenjta.

Profesionistët e vërtetë janë vënë nën urdhërat e Rilindjes, ndërsa ata që kundërshtuan dhe nuk i shërbyen me servilizëm pushtetit të urryer të Edi Ramës, u linçuan, poshtëruan dhe nxorrën nga sistemi shëndetësor. Qindra mjekë dhe intermierë nga më të mirët, të rinjtë e talentuar janë larguar nga Shqipëria dhe punojnë në Gjermani, apo vende të tjera të Perëndimit ku shohin të ardhme personale dhe profesionale. Shumë të tjerë janë drejt kësaj rruge. Spitalet rajonalë kanë mbetur pa personel dhe pacientëve u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës apo qyteteve të tjera të mëdha për të marrë shërbimet shëndetësore, për të mos folur për qendrat shëndetësore të fshatrave të cilave nuk u kanë mbetur më as godinat. Kjo është “Shëndetësia falas” e Rilindjes së Edi Ramës. Kjo është rruga e shkatërrimit përfundimtar të sistemit shëndetësor publik në Shqipëri, për llogari të disa klientëve të qeverisë që i dhanë goditjen vdekjeprurëse shëndetësisë shqiptare.

ZGJIDHJA e kishte paralajmëruar se kjo ditë e zezë nuk do të vononte. Koncesionet vrastare të Ramës, Beqja-s dhe lubive të tjerë të fondeve publike, çuan qindra milionë euro për “Check Up”, laboratorë, sterilizime aparaturash dhe lloj-lloj marifetesh të tjera për të grabitur buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë. Koncesionet do të shtohen dhe vijojnë edhe në 2018-ën dhe Rilindja i mbron fort ato, sepse halli i saj nuk është ruajtja e shëndetit të popullit, por sigurimi i miliona eurove përmes vjedhjes me koncesione.

ZGJIDHJA në pushtet do ta zhbëjë këtë qeverisje gjakatare dhe mizore që prej vitesh luan me jetët e shqiptarëve, nëpërkëmb e poshtëron profesionistët e ndershëm që i kushtuan gjithçka shëndetit të popullatës.

ZGJIDHJA do t’i anulojë pa mëshirë koncesionet e Saliut dhe të Ramës që e çuan shëndetësinë shqiptare në dështim të plotë. Zgjidhja do të thërrasë në detyrë të gjithë ata specialistë të mirë e të ndershëm të Shqipërisë që janë detyruar të braktisin spitalet dhe atdheun tonë. Ata së bashku me doktorët e infermierët që punojnë me përkushtim në Shqipëri janë shpresa për ringritjen e sistemit shëndetësor. Kjo elitë e ndyrë drejtuese vrau besimin dhe shpresën se ky vend mund të bëhet. Ajo meriton ta përmbysim e shporrim nga pushteti.

ZGJIDHJA e di shumë mirë se po vjen momenti i reagimit të madh. Pas qetësisë së rreme po vjen stuhia. Ne do e udhëheqim popullin shqiptar drejt aksionit gjithëpërfshirës për përmbysjen historike të kësaj elite politike tradhëtarësh dhe kusarësh, për rrëzimin e kësaj qeverisje të ndyrë, të diskredituar dhe antipopullore.

ZGJIDHJA është sot më shumë se kurrë pranë e në mbështetje të qytetarëve të Shqipërisë që kanë aq shumë nevojë për shërbime shëndetësore të besueshme dhe profesionale, është pranë dhe në mbështetje të mjekëve dhe personelit tekniko-administrativ të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, të cilët ndihen të braktisur, të poshtëruar, të sulmuar, të rezikuar dhe të tradhëtuar nga qeveria e tyre!

ZgjidhjaPërShëndetësinë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat