Abuzimi me dëmet, vendoset vetëdeklarimi nga banorët

Shqipëria

Abuzimi me dëmet, vendoset vetëdeklarimi nga banorët

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 09:33
Permbytjet

Vitet e kaluara, banorët e përmbytur të Novoselës janë ankuar për grupet në terren, të cilët, sipas tyre, kanë abuzuar me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

Faza e parë ka nisur prej dy ditësh, ku katër grupe me nga katër persona po shkojnë shtëpi më shtëpi, nga ku po mbajnë shënim çdo dëm të konstatuar prej tyre. Por për të shmangur pretendimet e pakënaqësitë e mëpasme të të prekurve nga përmbytja, do të ketë një fazë tjetër të vlerësimit.

Kjo fazë ka të bëjë me vetëdeklarimin. Pra, secili nga banorët e prekur do të bëjë vetë një listë të dëmeve që i është shkaktuar dhe atë do ta dorëzojë në njësinë administrative të Novoselës.

Pas kësaj do të bëhet edhe një ballafaqim i dy listave të hartuara, njëra nga vlerësuesit dhe tjetra nga vetë të dëmtuarit, si e vetmja formë për të shmangur abuzimet e mundshme. Dëmet në zonën e Novoselës, në fshatrat e saj Fitore, Bishan, Akërni, Fermë, Poro, Delisuf e Dëllënj janë të konsiderueshme.

Ata që kanë shtëpi njëkatëshe, uji u shkatërroi të gjitha pajisjet elektroshtëpiake, mobilie, dyshekë, jorganë e shumë sende të tjera të familjes. Gjithashtu, rryma mori me vete shpendët që ata do t’i shisnin për Vitin e Ri, disa bagëti ngordhën e qindra hektarë toka e të mbjella u dëmtuan. Banorët thonë se uji u dëmtoi edhe ushqimin e bagëtive, që janë të detyruar ta blejnë nga e para.

Për këtë shkak, këtë vit është menduar një tjetër strategji për të shmangur abuzimet me qytetarët e prekur nga vërshimi i ujit në banesat dhe të mbjellat e tyre. Sipas të dhënave nga vetë anëtarët e këtyre grupeve, vlerësimi i dëmeve do të kryhet në dy faza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat