Ja pse PD e kundërshton hedhjen e shortit për KED sot nga Kuvendi

Shqipëria

Ja pse PD e kundërshton hedhjen e shortit për KED sot nga Kuvendi

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 09:48
PD

PD ka protetuar dje kundër hedhjes së shortit sot nga Kuvendi për zgjedhjen e anëtarëve të KED. Në letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit dje, PD argumentonte:

"Konkluzioni i parë është se Kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim flagrant me kompetencën kushtetuese dhe ligjore duke i diktuar organeve te pavarurave zbatimin e deformuar te ligjit.

Kryetari i Kuvendit u ka kërkuar institucioneve, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Pëgjithshëm, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të hartojnë listat e kandidatëve për KED, duke u bazuar tek neni i Kushtetutës që përcakton masën disiplinore si kriter të vetëm për kandidatët.  

Kryetari i Kuvendit  ka shmangur kriteret ligjore, të zbatuara për shortin e Janarit 2017 nga të gjitha institucionet e pavarura. Ligji përcakton 8 kritere për kandidatët, duke rritur cilësinë e tyre. Mes kritereve është edhe përfundimi i Shkollës së Magjistraturës.

Konkluzioni i dytë është se, proçesi i nisur nga Kryetari i Kuvendit po kryhet në boshllëk kushtetues dhe ligjor, sepse në mungesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), po përdoret dispozita tranzitore, që kanë humbur fuqinë e tyre. KED e Përkohshme u zgjodh në Janar 2017 sipas dispozitës kalimtare dhe kjo dispozitë nuk mund të bëhet rregull i përgjithshëm. 

Konkluzioni i tretë është se veprimtaria e KPED u bllokua qëllimisht nga maxhoranca në mënyrë që Këshilli të mos kryente proçesin kushtetues të vlerësimit për kandidatët për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ku, aktualisht janë 3 vende vakante.

Partia Demokratike thotë se “deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues/ligjor apo deri në krijimin e KLGJ dhe KLP, është e pamundur që të zgjidhet një tjetër KED e përkohshme (KPED).

Partia Demokratike i kërkon Kryetarit të Kuvendit të ndërpresë menjëherë proçedurën për organizimin e shortit, e nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat