1 mijë ish-të përndjekur, ja kur do marrin këstin e tetë

Shqipëria

1 mijë ish-të përndjekur, ja kur do marrin këstin e tetë

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 09:59
Ish-të përndjekur

Rreth 1 mijë ish-të përndjekur politikë deri më 31 dhjetor 2017 do të marrin këstin e 8-të të dëmshpërblimit. 

Në Komisionin e Ekonomisë, Ministri i Financave Arben Ahmetaj, u shpreh se janë gjetur fondet për dëmshpërblimin e ish të dënuarve që janë gjallë.

“Deri në datën 31 dhjetor ish- të përndjekurit do të marrin këstin e tetë në masën 100% për të gjallët”, - tha Ahametaj. Një pjesë e ish të përndjekurve që janë gjallë nuk e kanë marrë ende këstin e tetë, të fundit, të dëmshpërblimit. Shkak kanë qënë mosdorëzimi në kohë i dokumentave, por edhe mungesa e fondeve nga Ministria e Financave. Tashmë të ish të dënuarit do të kenë në llogaritë e tyre bankare këstin e tetë, duke mbyllur procesin e dëmshpërblimeve për ata që janë gjallë.

Trashgimtarët

Ndërkohë për sa i përket trashgimtarëve Ministri Ahmetaj tha se procesi do të vijojë me shpejtësi në vitin 2018-të, duke qënë se i gjithë fondi do të kalojë për këtë kategori. Kjo për faktin se mbyllet procesi i dëmshpërblimit për ata që janë gjallë dhe do të nisë dhënia e këstit të parë, të dytë dhe të tretë për ata që nuk e kanë marrë ende. Gazeta mëson se do të përfundojë dhënia e këstit të parë dhe të dytë, më pas do të nisë shpërndarja e këstit të tretë

Kësti i parë

Ndërkohë Ministria e Financave ka bërë publike listën e 180 trashgimtarëve të cilët duhet të dorëzojnë dokumentat për të përfituar këstin e parë.

“Të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarit duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme. Kur kemi ndryshim të identitetit, Emër/Mbiemër, apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një gërmë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emrat të jenë të njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile. Në raste se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Në rastet e ekzekutimeve kapitale pa gjyq, është i domosdoshëm një vendim fakti gjykate që vërteton vdekjen, plus një certifikatë negative të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Në rastet kur për arsye të njohura në gjendjen civile nuk ekzistojnë dokumente të periudhës përkatëse dhe ky fakt vërtetohet nga gjendja civile, i interesuari është i detyruar të bëj një gjyq fakti, të cilin edhe në këtë rast si në pikën më lart, duhet ta shoqërojë me një certifikatë negative”, thotë Ministria e Financave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat