Gjiknuri në Bruksel: Prioritet, korridoret e transportit rrugor dhe hekurudhor - Bota Sot
Gjiknuri në Bruksel: Prioritet, korridoret e transportit rrugor dhe hekurudhor

Shqipëria

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Gjiknuri në Bruksel: Prioritet, korridoret e transportit rrugor dhe hekurudhor

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 10:04
Takimi i parë i Ministrave të Transportit dhe Infrastrukturës të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Në Bruksel u mbajt takimi i parë i Ministrave të Transportit dhe Infrastrukturës të vendeve të Ballkanit Perëndimor me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Evropian kryesuar nga Komisionerja për Transportin Violeta Bulc.

Në përputhje me traktatin e transportit, në këtë takim u avancua me vendimmarrjen për krijimin e Komunitetit të Transportit i cili do të ecë në të njëjtën linjë me atë të Komunitetit tashmë të konsoliduar të energjisë.

“Ishte një takim që mblodhi ministrat e rajonit me rastin e themelimit të komunitetit të transportit, organizatë e ngjashme me Komunitetin e Energjisë që është tashmë në Vjenë. Ky organizim i Bashkimit Evropian tregon një hap tjetër më të rëndësishëm në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Kjo organizatë do të përdoret si një urë bashkëpunimi, si një institucion i rëndësishëm për harmonizimin e projekteve, promovimin e vlerave të njëjta, harmonizimin e politikave të transportit mes shteteve dhe synimi final është padyshim integrimi i krejt rajonit në Bashkimin Evropian edhe sa i takon infrastrukturës e transportit”, u shpreh ministri Gjiknuri. 

Në vlerësimin e tij, përmes këtij organizimi do të mund të kordinohen vendet më mirë për projektet dhe për të thithur fonde të Bashkimit Evropian duke plotësuar hendekun që Ballkani Perëndimor ka sa i takon infrastrukturës.

“Projektet prioritare që ka Ballkani Perëndimor do të zënë vend. Edhe këtu u konfirmua nga Komisioni Evropian, nga Komisionerja për Transportin dhe përfaqësues të Komisionerit për Zgjerimin, që projektet prioritare do të jenë në qendër të financimit. Qoftë kjo përsa i përket pjesës së fizibilitetit apo më vonë edhe fazës së zhvillimit. Do të theksoja këtu korridoret kryesore siç janë korridoret e transportit ku është dhe ai Jonian-Adriatik; projektet e rëndësishme hekurudhore siç janë ato mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe zgjerimi i hekurudhës drejt Maqedonisë dhe Greqisë. Pra, këto korridore do të shikohen me prioritet përsa i takon financimeve të mëtejshme të Bashkimit Evropian dhe ky mekanizëm tashmë i krijuar do të kordinojë më mirë mes institucioneve financiare por edhe për të promovuar projektet prioritare që meritojnë financim nga institucionet ndërkombëtare”, nënvizoi Gjiknuri.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Gjiknuri zhvilloi takime me Komisioneren për Transportin Violeta Bulc dhe ministrat e transportit të Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test