Bruksel, Xhafaj takon Komisionerin Hahn - Bota Sot
Bruksel, Xhafaj takon Komisionerin Hahn

Shqipëria

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Bruksel, Xhafaj takon Komisionerin Hahn

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 10:45
Pamje nga takimi në Bruksel

Gjatë vizitës në Bruksel, ministri i Brendshëm shqiptar zhvilloi një takim me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Xhafaj prezantoi prioritetet dhe dokumentin politik të punës së Ministrisë së Brendshme, në këtë mandat qeverisës. Ai u ndal te lufta antikanabis duke e vënë theksin tek qëndrueshmëria e rezultateve. Ministri nënvizoi se janë marrë që tani masat për 2018, dhe Shqipëria nuk do të jetë më në listën e vendeve ku kultivohet drogë.

Një vend të rëndësishëm në bisedën mes palëve, zuri njohja me Planin e Veprimit, Operacioni “Forca e Ligjit”, duke u ndaluar në elementë të tij, çfarë përfaqëson dhe si do të zbatohet. Ministri pohoi se janë skanuar grupet kriminale dhe asetet e tyre. Ai veçoi ndihmën e ekspertëve të huaj të atashuar në Task Forcën Speciale. Zoti Xhafaj informoi Komisionerin për procesin e Vettingut që do të kryhet në Policinë e Shtetit.

Duke u ndaluar tek masat për frenimin e azilkërkimit të paligjshëm dhe migracionin e parregullt, ministri i Brendshëm shqiptar veçoi bashkëpunimin me Francën, si një shembull pozitiv për minimizimin e fenomenit.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit tha se shembulli i bashkëpunimit të palës shqiptare me Francën, duhet avancuar edhe me vendet e tjera europiane.

“Periudha në vijim është shumë deçizive për Shqipërinë”, u shpreh Komisioneri Hahn. Ai sugjeroi njohjen më të thellë të arritjeve të palës shqiptare, përmes medias së huaj, për të reduktuar efektet negative të stigmatizimit të padrejtë të vendit. 

Xhafaj nënvizoi se rezultatet e prekshme të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, janë fryt i vendosmërisë për të forcuar shtetin ligjor. Bashkëpunimi me vendet fqinje për ngritjen e Qendra Rajonale e Bashkëpunimit Policor, sipas tij, ka nevojë për mbështetje nga vendet e BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test