18 mln dollarë për pensionistët, zbulohet vendimi për shpërblimet

Shqipëria

18 mln dollarë për pensionistët, zbulohet vendimi për shpërblimet

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 08:25
Ilustrim

Pensionistët në të gjithë vendin do të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dje në prezantimin e Aktit Normativ të buxhetit 2017 në Komisionin e Ekonomisë, tha se fondi për shpërblimet do të jetë 18 milionë dollarë. Brenda këtij muaji, qeveria do të mbyllë 100 për qind edhe dëmshpërblimet e këstit të 8-të për ishtë përndjekurit që janë gjallë. Ministri Ahmetaj tha se fondi për këtë kategori do të jetë 352 milionë lekë.

Ndryshimet e buxhetit 2017 u miratuan nga Komisioni i Ekonomisë. Opozita votoi kundër, pasi, sipas nënkryetares së komisionit, Jorida Tabaku, Akti Normativ nuk sjell asgjë të re për ekonominë, biznesin e punësimin, dhe ndryshimet janë për propagandë.
SHPËRBLIMETQeveria do të shpenzojë 18 milionë dollarë për shpërblimet e pensionistëve. Burime nga qeveria për gazetën, konfirmuan se pensionistët do të përfitojnë 3 mijë lekë shpërblim. Vendimi i posaçëm për shpërblimet do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, ku pritet që përfitues të jenë edhe familjet me ndihmë ekonomike.

“Rriten me 1.8 miliardë lekë kontributet nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si rrjedhojë e performancës së lartë në mbledhjen e tyre gjatë periudhës janar-shtator 2017. Kjo rritje shkon tërësisht për bonusin e pensionistëve me një efekt neutral për deficitin”, shpjegoi ministri i Financave.

Brenda muajit dhjetor, qeveria do të mbyllë edhe dëmshpërblimin e këstit të 8-të për kategorinë parësore të ish-të përndjekurve. Ministri i Financave, Ahmetaj, shpjegoi se fondi prej 352 milionë lekësh shlyen 100 për qind këstin e 8-të të kategorisë parësore.
“Me Aktin Normativ ne marrim përsipër të shlyejmë këstin e 8-të, që është përfundimtar, për kategoritë përfituese të ish-të përndjekurve të gjallë, ta shlyejmë brenda 31 dhjetorit 2017. Dhe në vitin tjetër do të fillojmë të mendojmë në mënyrë të strukturuar se çfarë do të bëjmë me përfituesit trashëgimtarë”, deklaroi Ahmetaj.

PËRMBYTJET

Ministri i Financave, Ahmetaj, deklaroi dje se qeveria është në fazën e evidentimit të pasojave nga përmbytjet dhe nuk ka ende një faturë të dëmit.
“Nuk kemi një vlerësim dëmesh akoma. Vlerësimi është faza e katërt, ne jemi në fazën e tretë, pra likuidimi i pasojave. Shumë shpejt do të fillojë edhe vlerësimi që do të jetë i kujdesshëm”, tha ministri. Për përmbytjet e vitit 2015, ministri Ahmetaj shpjegoi se fatura e kompensimet prej rreth 5 milionë eurosh është paguar me grand të Komisionit Europian.

Fondi shtesë prej 127 milionë lekësh për Avokaturën e Shtetit ndezi debate mes opozitës dhe maxhorancës. Opozita ngriti edhe një herë si shqetësim faturën prej 2 miliardë eurosh për çështjet në Arbitrazh, duke iu referuar letrës së ish-ministrit Petrit Vasili. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, e hodhi poshtë faturën e Arbitrazhit, duke e cilësuar shifrën të pavërtetë.
“Nëse i referoheni virtualitetit të 2 miliardëshit, kjo shifër nuk është aspak e vërtetë. Ajo shifër është vetëm për panik”, tha Ahmetaj. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, kërkoi shpjegime për rialokimin e fondeve dhe detyrimet për Arbitrazhin dhe Gjykatën e Strasburgut. Ministri Ahmetaj shpjegoi se këto fonde do të përdoren për prezantimet e çështjeve që Avokatura e Shtetit mbron në Arbitrazh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat