Dy mjekë ekspertë për gjyqtarin Miri, gjykata s’bindet për sëmundjen e tumorit

Shqipëria

Dy mjekë ekspertë për gjyqtarin Miri, gjykata s’bindet për sëmundjen e tumorit

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 10:13
Shkëlqim Miri

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekoligjore për sa i përket sëmundjes që ai pretendon se vuan.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka përcaktuar dy ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët do të ekzaminojnë Shkëlqim Mirin përpara se trupi gjykues të shprehet për masë sigurie tjetër ndaj tij. Miri, i cili është në arrest me burg, ka kërkuar një masë sigurimi më të butë, për shkak se vuan nga një sëmundje e rëndë.

Mirëpo, Gjykata nuk është e bindur deri sa të ketë në dorë një aktekspertim mjekoligjor, që vërteton pretendimet e gjyqtarit. Edhe më herët, avokati i tij mbrojtës ka kërkuar masë më të butë për Shkëlqim Mirin, duke pretenduar se ai ka qenë i shtruar në Spitalin e Burgut për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Por Gjykata përsëri e ka lënë në burg gjyqtarin. Ai është arrestuar për akuzat e korrupsionit, pasi dyshohet se ka marrë 30 mijë euro në këmbim të votës pro lënies në fuqi të një vendimi. Bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Mat për shtetasin Gentian Doda.

Ky i fundit është dënuar vite më parë për “vrasje me paramendim” me 25 vjet burg në mungesë. Por, arrestimi i tij në SHBA në vitin 2009 solli edhe rigjykimin e çështjes, sipas marrëveshjes që Ministria e Drejtësisë bëri me autoritetet amerikane.
Pas rikthimit të çështjes për rishqyrtim, Gjykata e Matit vendosi që të ndërrojë veprën penale, duke e akuzuar Gentian Dodën për “plagosje të rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen. Po kështu, Gjykata e Matit rrëzoi akuzën e “armëmbajtjes pa leje” për shkak të amnistisë.
Duke pranuar edhe gjykimin e shkurtuar, Gjykata e Matit e dënoi atë me 8 vjet burg në përfundim. Në këtë mënyrë, ai u lirua më 7 qershor të këtij viti, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e la në fuqi vendimin e 20 tetorit të vitit 2016 të Gjykatës së Matit. Më pas Prokuroria e apeloi vendimin në Apelin e Tiranës, ku Shkëlqim Miri mori 30 mijë euro për të lënë në fuqi atë vendim.

Për rastin është arrestuar edhe i afërmi i gjyqtarit, Kujtim Miri, i cili ka luajtur rolin e sekserit. Ai është takuar në një lokal në Fushë-Krujë me Alban Bucin, të afërmin e Gentian Dodës, me të cilin është bërë edhe “pazari”. Në një seri përgjimesh të kryera nga Prokuroria, shihet qartë se Gentian Doda ishte në pritje të një vendimi pro lënies në fuqi të rikualifikimit të veprës penale.

Ai madje merr edhe para borxh për të bërë 30 mijë eurot që kërkonte gjyqtari Miri. Për rastin është shpallur në kërkim edhe Gentian Doda, që akuzohet për korrupsion. Gjatë kontrollit në banesën e Mirit, Policia gjeti edhe 33 milionë lekë, në një kohë që Miri ka deklaruar vetëm 3 milionë lekë pasuri. Ai i është nënshtruar edhe hetimit pasuror. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat