Trafiku i hashashit nga porti, arrest me burg për policët

Shqipëria

Trafiku i hashashit nga porti, arrest me burg për policët

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 17:28
Foto ilustrim

Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë për 7 personat e arrestuar si të përfshirë në trafikun e drogës.

Gjykata dha masën e sigurisë arrest me burg për Festim Lelaj, nënkomisar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Fierit, dy efektivët e policisë në Portin e Durrësit, si dhe dy doganierët, po të këtij porti e dy shtetas të tjerë.

Këta shtetas dyshohen si autorë të trafikut të një sasie prej 2.5 tonësh droge, e llojit kanabis sativa, e cila u kap në Ankona në janar të këtij viti.
Droga që kaloi nga porti i Durrësit dyshohej se ishte e një rrjeti trafikantësh shqiptar. Pas këtyre hetimeve rezultonte se organizatori i këtij trafiku ishte Festim Lelaj, nënkomisari në Drejtorinë Vendore të Policisë së Fierit.

Një ditë pas arrestimit të nënkomisarit, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi edhe ndalimin e Gëzim Dervishit dhe Agron Kapllanit, 2 efektivë të policisë kufitare të Durrësit, doganierit të portit, Altin Katundi si dhe agjentin doganor, Mikail Hila, që të gjithë të dyshuar si të përfshirë në këtë trafik.

Në Itali, në janar u arrestua kamionisti Dhimo Koraj dhe pas bashkëpunimit me policinë shqiptare u arrestuan edhe tre trafikantë të dyshuar, Demo Progonati, Euron Hoti dhe Malton Lleshi, të cilët ndodhen në gjendje arresti.

Para pak ditësh, policia arrestoi një tjetër anëtar të këtij rrjeti, Aurel Laza. Në përfundim të këtyre hetimeve rezultoi se, të përfshirë ishin edhe Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa, që u arrestuan së bashku me oficerin e policisë Lelaj gjatë së martës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat