Gati masterplani i alpeve, 2 kompani interes për ndërtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje

Shqipëria

Gati masterplani i alpeve, 2 kompani interes për ndërtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 16:01
Ilustrim

Plani kombëtar i alpeve shqiptare, të cilësuara si sharmi i fundit i Ballkanit, synon të jetësojë vizionin e një Shqipërie si destinacion turistik tërheqës në Evropë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit, nga Shkodra bëri të ditur se dy kompani të mëdha kanë paraqitur ofertat e tyre për ndërtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje në Alpet shqiptare. Sipas Klosit, masterplani analizon të gjitha mundësitë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, që përkthehet më pas, në një zhvillim më të madh ekonomik, në më shumë të ardhura dhe në rritjen e mirëqenies.

“Miratimi sot i masterplanit të alpeve është një epokë e re për zhvillimin e magjisë së Alpeve tona, për t’i shndërruar ato në një pol turistik”, tha Klosi. 

Turizmi malor është një produkt turistik elitar i shpejtë, prodhohet menjëherë dhe është shumë pranë produkteve me standardet evropiane. Ministri shtoi së në hartimin e planit është pasur parasysh edhe ndërlidhja ma zonat kufitare, Kosovën e Malin e Zi për t’u bërë kështu pjesë e itinerareve përgjatë Adriatikut.

Investimet në alpe synojnë që çdo 5 vjeçar të kemi dyfishim të numrit të turistëve .
“Ne synojmë që numri i turistëve në 2030 të arrijë në 600 mijë. Së bashku me numrin e turistëve, synojmë të rrisim edhe ditët dhe netët e qëndrimit të tyre. Objektivi ynë është ta bëjmë paketën ’10 ditë në alpe’”, deklaroi Klosi.

Në fazën e parë të zhvillimit të projektit parashikohet të investohen rreth 60 milionë euro, kryesisht në rrugë dhe kthimi i investimit llogaritet 90 milionë euro.
Në fazën e dytë, investimet prej 70 milionë eurosh do të fokusohen tek identifikimi urban dhe arkitektonik. Ndërsa faza e tretë, sipas ministrit Klosi, do të bëjë të mundur forcimin e identitetit historik të zonës. Përmes investimeve të kryera, ministri Klosi vlerësoi se përfitimi ekonomik në një periudhë 15 vjeçare do të jetë 980 milionë euro.
Përparësi është fakti se alpet shqiptare, janë unike në rajon, nuk ka të tillë zona në asnjë nga vendet e rajonit, si për nga lartësia edhe nga relievi.

“Kushdo që ka bërë hiking i vlerëson ato si unike për nga lartësia dhe relievi i tyre”, deklaroi Klosi.Turistët e ardhur në Shqipëri, kanë vlerësuar natyrën, por edhe mënyrën origjinale të jetesës së banorëve të zonës, kulinarinë bio apo tradicionale.
“Është rankuar natyra, peizazhi, tradita, produktet vendase dhe mikpritja”, deklaroi ministri.Turistët, vijoi Klosi, i sugjerojnë alpet si një destinacion unik për të gjithë ata që duan të vizitojnë vendin tonë.

Plani i zhvillimit nënvizoi ai nuk do të prekë de do të mbajë të pa transformuar elementët karakteristik të zonës dhe peizazhin.

“Plani synon të kthejë udhëtimin transitor apo kalimtar në një industri të qëndrueshme. Bukuria e alpeve, sekreti shqiptar i ruajtur mirëBukuria e alpeve ka qene një sekret shqiptar i ruajtur shumë mirë, deklaroi Drejtori i projektit të konsorciumit PM Group, Dermot O’Dwyer gjatë prezantimit të planit kombëtar të zhvillimit të alpeve shqiptare.

“Para se konsorciumi im të niste këtë projekt unë ashtu si shumë qytetarë në Evropë e më gjer, nuk kishim dijeni për bukuritë mahnitëse të rajonit. Për shumë kohë ky ka qenë një sekret shqiptar i ruajtur shumë mirë”, tha ai.

Sipas tij, masterplani i alpeve shqiptare ka qenë projekt interesant e sfidues dhe konsorciumi unë ka mësuar shumë për madhështinë e bukurinë e këtij rajoni.Nga eksperienca jonë, nënvizoi ai, besojmë fort në potencialin për prosperitet ekonomik nëpërmjet rritjes së sektorit të turizmit.

“Ne kemi kombinuar eksperiencën më të mirë të turizmit ndërkombëtar dhe kombëtar për të zhvilluar atë që unë besoj se është kontribut i vlefshëm e qëndrueshëm për zhvillimin e sektorit të turizmit për rajonin e alpeve. Do të synohet të rrisë vetëdijen kombëtare dhe ndërkombëtare për mundësitë e mëdha që ofron rajoni në aspektin e bukurive natyrore, diversitetit të aktiviteteve dhe mikpritjes së ngrohtë që pret çdo turist”, theksoi O’Dwyer.  
Ai premtoi se do të kthehej të shikonte personalisht rezultatet që ka dhënë ky projekt./BW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat